Shqipëria

Këshilli i Ministrave shkarkon me vendim të menjëhershëm Safet Gjicin


Këshilli i Ministrave ka shkarkuar me vendim të menjëhershëm kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici pas publikimit të një videoje erotike në media ku ai shfaqet teksa kryen akte seksuale me një vajzë.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Më herët, kryetari i Bashkisë Kukës paraqiti dorëheqjen në median sociale “Facebook”, bashkëngjitur një ndjese publike.

“Ndjesë të gjithëve dhe mirënjohje gjithë jetën kujtdo më besoi dhe mbështeti. Ishte nderi i jetës time që u njollos nga një mendjelehtësi e pafalshme ndaj sot ndjej detyrimin minimal të jap dorëheqjen! Zoti ju bekoftë të gjithëve!”.

Kështu shkruan Gjici në postimin e tij në median sociale Facebook.

Prej fillimit të postimit, ai ka kërkuar ndjesë të thellë ndaj publikut dhe gjithkujt që e ka parë materialin, të cilin e ka etiketuar si “të shëmtuar”.

Mirëpo, njëkohësisht, e ka quajtur të gjithën një kurth nga kundërshtarët.

“Pas një fushate dhe përballjeje jo të lehtë me kundërshtarët e mi, pas të cilës rezultova fitues, fatkeqësisht unë rashë pre e një kurthi të përgatitur me detaje nga e njëjta dorë njerëzish me të cilët u përballa në zgjedhje. Ja arritën ta bëjnë në një formë tjetër të pistë atë që se bënë dot me votën e kuksianëve”.

Prokuroria e Posaçme SPAK ka nisur një procedim penal ndaj Gjicit, pas publikimit të një videoje erotike ku ai shfaqet së bashku me një vajzë në zyrën e tij.

Albanian Post e disponon këtë video, të cilën për arsye etike ka vendosur të mos e publikojë.

Megjithatë, nga pamjet e videos duket ai, së bashku me një vajzë, duke kryer akte seksuale në atë çfarë duket si zyra e Gjicit.

Videoja ka qarkulluar gjerësisht në media sociale mëngjesin e 16 qershorit fillimisht, ku është shpërndarë edhe në platformën WhatsApp.

Ajo është filmuar më datë 6 qershor dhe nuk dihet ende se e kujt është autorësia e videos, ose rrethanat në të cilën është filmuar.

Akuza kryesore që mund të ngrihet ndaj Gjicit ndërkaq, mund të të jetë ajo e “Shpërdorimit të detyrës”.

Ndërsa, raste të tjera të ngjashme ka pasur edhe në të shkuarën, ku në një skandal të tillë ka rënë edhe ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili. Apo, më parë, skandalet seksuale kanë shkuar edhe në nivel ministror, me Ylli Pangon, i cili u shkarkua nga detyra pikërisht lidhur me ngjarje të tilla të ngjashme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore