Lajme

Këshilli i Evropës: Gjermania pret nga Kosova ngritjen e “peshave të rënda” para vendimmarjes finale


Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ndërsa mirëpriti miratimin e raportit nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme evropiane, kujtoi se lëvizjet reale politike do të nisin në prag të takimit të ministrave të jashtëm – organi vendimmarrës i organizatës – në mes të muajit maj.

Rohde, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën pas votimit pozitiv në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deklaroi se për të marrë dy të tretat e votave të nevojshme në Komitetin e Ministrave të Jashtëm, vendi i vogël ballkanik duhet të ngrisë “pesha të rënda” nëse dëshiron që përfundisht të bëhet anëtarja më e re e organizatës më të vjetër.

“Kosova fitoi zemrat dhe mendjet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: Aplikimi për anëtarësimin e Kosovës fitoi pothuajse 80 për qind të votave! Tani vijnë punët e rënda: Kosova duhet të bëjë çka është e nevojshme për t’i bindur me meritë dhe veprim shumicën e nevojshme 2/3 në Komitetin e Ministrave në maj”, shkroi shkurt ambasadori gjerman.

Shtetet e QUINT-it – Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – dëshirojnë të shohin lëvizje reale drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, posaçërisht dërgimin e draft-statutit për këtë mekanizëm për serbët e Kosovës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës përpara se vendet të bien dakord për këtë pikë.

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një takim me gazetarë javën e kaluar, deklaroi se shteti që përfaqëson “akoma s’ka qëndrim final” nëse themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të jetë kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sarrazin u pyet për qëndrimin e Gjermanisë sa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, posaçërisht mbi sugjerimet e diskutuara që themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të jetë kusht për Kosovën drejt avancimit të ardhshëm. Në raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ky kusht përshkruhet lëvizje e dëshirueshme.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, por moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit u kthye në pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

Kjo çështje mori epilog kur Qeveria e Kosovës vendosi në mars t’ia dorëzojë pronësinë e 24 hektarëve tokë Kishës Ortodokse Serbe (KOS). Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi në favor që manastirit t’i jepej toka në vitin 2016, por qeveritë e njëpasnjëshme kosovare refuzuan ta zbatonin vendimin e gjykatës. Por konsiderohet se Kosova ka ende çështje për të adresuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore