Kosova

Kërcënimet për greva nga sindikatat, Murati: Ata u mashtruan nga qeveritë e kaluar, na ofroni kohë


Hekuran Murati

Për Ministrin e Financave, Hekuran Murati, kërcënimet e Sindikatave të Kosovës se do të ketë greva nëse nuk miratohet Ligji i Pagave ka ardhur si pasojë e mashtrimit të sindikalistëve nga qeveritë e kaluara.

Sipas tij kërkesat e sindikalistëve nuk janë të sinqerta kjo pasi që Qeveria aktuale nuk i ka bërë as një vjet prej se ka filluar punës.

“Nëse kemi thënë që i zgjidhim problemet brenda mandatit, kjo nënkupton që vitin e tretë, mund të ketë kritika, por jo ende pa i mbushur një vjet”, ka thënë Murati gjatë një interviste për Telegrafi.

Ai madje ka theksuar se qeveritë e kaluara kanë dhënë premtime të pa realizueshme sindikalistëve ndërsa tani premtimet e dhëna do të mbahen.

“Edhe më herët janë dhënë premtime, nga qeveritë paraprake, por e kemi parë sa janë realizu. Tash e kemi një qeveri, kur e jep një zotim edhe e realizon. Nuk jemi anashkalues, por vetëm e konsiderojmë që është e pasinqertë të thuhet se po kërkohen të drejtat e punëtorëve dhe të kërkohet të realizohet çdo gjë në një vit dhe të kërcënohet me greva. Greva duhet të jetë fjala e fundit e një diskutimi social”, tha Murati.

Murati, është shprehur se më herët kanë përkrahur grevat për shkak se qeveritë e kaluara nuk i kanë mbajtur premtimet.

“Është bërë një Ligj i Pagave, i cili ka qenë një listë dëshirash, pra kanë plotësuar kërkesa dhe dëshira, por që ka qenë i parealizueshëm. Ka qenë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në Kuvend e kam cituar, ku thuhet se edhe po të hynte në fuqi, ka qenë i pazbatueshëm, sepse nuk ka qenë i buxhetuar”, u shpreh Murati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore