Lajme

Kancelari i Austrisë: Serbia me qasje pragmatike – Kosova me qasje ideologjike


Kancelari i Austrise, Karl Nehammer.

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, gjatë një debati në komitetin kryesor të Bashkimit Evropian të mërkurën, duke komentuar tensionet e krijuara në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se nevojitet një vëmendje për Ballkanin Perëndimor.

Ai ka pohuar se rajoni i Ballkanit “ka nevojë për vëmendjen tonë të plotë” pas tensioneve të krijuar në Veri të Kosovës.

“Në të njëjtën kohë, ai tha se ndjehet i lehtësuar që kryeministri kosovar Albin Kurti e ka rishqyrtuar politikën e tij faleminderit Zotit, pjesërisht për shkak të ndikimit të Shqipërisë”, shkruan gazeta austriake “Derstandart”, duke cituar kancelarin austriak.

“Doli se qasja serbe është pragmatike, ndërsa ajo kosovare është e drejtuar kah ideologjia”, ka potencuar Nehammer.

Ky shkrim i prestigjiozes austriake është bërë teksa kanë komentuar takimin e së premtes në Vjenë, ku kancelari austriak, Karl Nehammer, pret homologun e tij hungarez, Viktor Orban dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në një samit të migracionit.

Behet me dije se aty do të marrin pjesë gjithashtu ministrat e jashtëm dhe të brendshëm të tre vendeve.

Qëllimi i samitit të tretë të këtij lloji është “zgjerimi i boshtit të fortë në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe forcimi i mëtejshëm i masave të përbashkëta për mbrojtjen efektive të kufijve”.

Ndryshe, tensionet në Veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji, kur qeveria e Kosovës mori vendim që të instalojë në zyrat e tyre kryetarët e komunave Veriore, çka shkaktoi reagim të serbëve lokalë, të cilët ishin mjaft të ashpër në kundërshtimet e tyre.

Situatë më e tensionuar ishte të hënën e 29 majit, kur protestuesit e dhunshëm serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it, duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Situata agravoi edhe më tej kur xhandarmëria serbe kidnapoi tre policë të Kosovës në pikën kufitare, të cilët pas një presion të bashkësisë ndërkombëtare në drejtim të Serbisë u liruan.

Ndërsa, bashkësia ndërkombëtare ka paraqitur disa pika për depërshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës, madje në rast të mos zbatimit të këtyre kërkesave ata kanë paralajmëruar pasoja.

Ndërkombëtarët do ta konsiderojnë “thikë pas shpine” nëse Kosova vazhdon me këtë kurs

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore