Kampionate

Juventus-i përgatit ofertën për afrimin e Vlahovic-it në janar, detajet


Dusan Vlahovic, sulmuesi serb i Fiorentina-s, është kthyer në objektivin numër një për skuadrën e Juventus-it, përsa i përketë përforcimit të fazës sulmuese, raporton torinezja “Tuttosport”.

21-vjeçari po kalon momente të mira në Firence. Këtë sezon ai është aktivizuar në të 10 javët e Serie A. Pesë gola dhe një asist mbajnë emrin e tij. Në një paraqitje në Kupën e Italise ka arritur të shënoi dy gola.

Bardhezinjë po kalojnë momente jo shumë të mira në Serie A. Sipas statistikave ata kanë sulmin e dytë më të keq në 13 vitet e fundit me 14 gola të shënuar.

Largimi i papritur i Cristiano Ronaldo-s ka ndikuar dukshëm në fazën sulmuese të “Zonjës së Vjetër”. Po ashtu prishi dhe planet e skuadrës, pasi merkato ishte pranë mbylljes. Moise Kean u mor si një alternativë e shpejtë.

Mangësitë në sulmin bardhezi janë të qarta. Dëmtimet e Alvaro Morata-s, Paulo Dybala-s dhe Kean-it kanë qenë të herëpasherëshme. Kjo ka sjellë që Juventus-i të ushtrojë presion për të marrë në janar Vlahovic-in.

Serbi nuk ka pranuar të rinovojë kontratën me Fiorentina-n. Kontratë e cila përfundon në qershor të 2023. Klubi viola shpenzoi vetëm 2 milionë euro në vitin 2018 për ta marrë në Firence nga Partizan-i i Beogradit. Ata janë të gatshëm të heqin dorë prej tij për një shumë rreth 60 milionë euro.

Juventus-i pas negociatave pozitive që ka pasur më parë me Fiore-n për Federico Bernardeschi-n dhe Federico Chiesa-n, duket se nuk do të ketë probleme të negociojë edhe për Vlahovic-in. Mbi të gjitha serbi e ka shprehur dëshiren për të shkuar në Torino.

Problemi më i madh i Juventus-it mbetet Aaron Ramsey. Paga e uellsianit rëndon 14 milionë euro (bruto) në arkat e klubit. Për të ka interes nga Newcastle. Nëse mesfushori largohet, atëherë do të jetë gati kontrata 5-vjeçare dhe me pagë 6 milionë euro në sezon për Vlahovic-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore