Muzikë

Justin Bieber “dezinformon” publikun, mbështet Izraelin me fotografi nga Palestina


Ylli kanadez i popit, Justin Bieber është nën kritika për ndarjen e një postimi në mbështetje të Izraelit duke përdorur një foto të shkatërrimit në Gaza.

Artisti 29-vjeç postoi një storie në Instagram me fjalët “Lutemi për Izraelin” të mbivendosura në një imazh të një lagjeje të dëmtuar në Gaza.

Muzikanti e fshiu postimin brenda një ore dhe e rindau mesazhin me të njëjtin formulim, por pa sfond.

Sipas bashkëthemeluesit të faqes së internetit të verifikimit të fakteve Alt News, Mohammed Zubair, fotografia paraqet një pamje ajrore e një ndërtese të shkatërruar në Gaza që ishte goditur nga sulmet ajrore izraelite më 22 maj të vitit 2021.

Bieber nuk është i vetmi personazh i famshëm që po kritikohet për ndarjen e imazheve false.

Aktorja amerikane Jamie Lee Curtis ndau një imazh të fëmijëve të tmerruar që shikonin lart në qiell, duke pretenduar se ata ishin izraelitë që mbuloheshin nga raketat e Hamasit.

Megjithatë, verifikuesit e fakteve kanë konfirmuar se imazhi është marrë nga New York Times dhe tregon fëmijët palestinezë të frikësuar nga tingujt e bombardimeve izraelite teksa kërkojnë strehim me familjet e tyre në shkollat e UNRWA brenda Rripit të Gazës.

Keqinformimi – informacioni i pasaktë ose mashtrues – dhe dezinformimi – informacioni i përhapur qëllimisht mashtrues – kanë qenë të shfrenuar në ditët pas dhunës së vazhdueshme.

Shtëpia e Bardhë të mërkurën tërhoqi deklaratën e presidentit amerikan Joe Biden, duke pretenduar se ai kishte parë foto të fëmijëve izraelitë të cilëve iu pre koka nga militantët e Hamasit.

Duke folur për The Washington Post, një zëdhënës tha se presidenti nuk kishte marrë fotografi të incidenteve të tilla dhe po i bazonte pretendimet e tij në raportet që kishte dëgjuar nga mediat izraelite.

Ushtria izraelite gjithashtu ka mohuar se ka konfirmim se Hamasi ishte duke u prerë kokat foshnjave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore