Lajme

Joseph: Lidershipi kosovar duhet të ketë shumë kujdes në mbajtjen e zgjedhjeve në veri


Edward Joseph

Ligjëruesi në Universitetin “John Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Edward P. Joseph, në një intervistë për agjencinë e lajme “Kosova Press”, konsideroi se lidershipi kosovar duhet të tregohet jashtëzakonisht i kujdesshëm në raport me zgjedhjet e jashtëzakonshme në pjesën veriore të Kosovës.

Ai vlerësoi se çdo konfrontim apo një krizë tjetër në veri të Kosovës do t’i shkonte përshati presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndonëse shprehu optimizmin se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë do të sigurojë mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

“Ai do të përfitonte më së shumti nëse mbahen zgjedhjet dhe ka incidente, por ne kemi KFOR-in, duhet të shikojmë nga KFOR-i për trajtimin e kësaj çështjeje, shpresojmë se ata do të merren me këtë, kjo është një mënyrë’’, tha Joseph.

Joseph gjithashtu vlerësoi se një aspekt tjetër që do të ndikonte për keq në anën e Kosovës e për mirë në anën e Serbisë, do të ishte nëse pothuajse asnjë serb nuk voton, ngase sipas tij, serbët do të thonin se populli doli dhe nuk votoi.

‘’Mënyra tjetër është se ai do të mund të përfitonte nëse mbahen zgjedhjet dhe pothuajse asnjë serb nuk voton. Pra, ai do të përfitonte, Beogradi do të përfitonte nga kjo. Ata do të thoshin shikoni, kjo është një farsë, ata nuk po e dëgjojnë popullin, populli nuk doli dhe nuk votoi”.

“Kështu që liderët e Kosovës duhet të mendojnë për këtë, të mendojnë për pasojat e kësaj, dhe përfitimin e Beogradit nga një gjë e tillë, është gjë shumë e keqe’’, shtoi Joseph, i cili ka qenë ish-zëvendëshef i misionit të OSBE-së në Kosovë.

Ai argumentoi se fatkeqësisht Kosova dhe Serbia nuk janë as për së afërmi marrëveshjes finale, dhe se gjërat do të ishin shumë më ndryshe e më pozitive nëse të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian dhe NATO-s do ta njihnin pavarësinë e Kosovës.

“Problemi i vërtetë këtu është fakti që Kosova nuk njihet nga BE-ja dhe nga të gjithë anëtarët e BE-së, dhe të gjithë anëtarët e NATO-s, po të ishte e njohur, atëherë gjithçka do të ishte ndryshe, do të kishim një shteg tjetër këtu, dhe do të kishte një marrëdhënie shumë më të qetë me Serbinë dhe do të kishte njohje”, përfundoi ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia kanë thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës janë në përputhje me ligjet e Kosovës, ndërsa kanë shprehur keqardhjen që Lista Serbe nuk e ka shfrytëzuar “të drejtën demokratike për marrin pjesë në to”.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët e forcës më të madhe politike të serbëve në vend kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të zbatuar procesin e reciprocitetit për targat.

Ndryshe, kur shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka njoftuar përmes “Twitter”-it se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje, pas një dite të gjatë bisedimesh, më 18 mars në Ohër, shumë njerëz e kanë marrë atë si të mirëqenë.

Këtij teksti – ashtu sikurse më 27 shkurt në Bruksel – i ka munguar një aspekt i rëndësishëm: nënshkrimet e dy lojtarëve kryesorë – kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ky aspekt po vlerësohet nga njohësit e çështjeve si pengesë për zbatimin e plotë të marrëveshjes.

Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin Zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Megjithatë, gjatë ditëve të fundit janë djegur disa vetura në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Disa prej veturave ishin me targa të Kosovës, ndërsa disa tjera me targa të Serbisë, prandaj ekspertët po vlerësojnë se tensionet mund të rikthehen sërish në këtë pjesë.

Marrëveshja e Ohrit kërkon nga palët, ndër të tjera, që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ndryshe, takimi i rradhës i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, ndonëse nuk është dhënë ende një datë zyrtare, mund të mbahet dikur në fund të muajit prill ose në fillim të muajit maj.

Nëse mbahen zgjedhjet në Veri, “99% e serbëve do t’i bojkotojnë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore