Lajme

Jill Biden e zbukuron me zemra oborrin e Shtëpisë së Bardhë


Në prag të festës së “Shën Valentinit”, zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikes, Jill Biden, ka vendosur ta zbukuroj oborrin e Shtëpisë së Bardhë, me zemra të mëdha prej kartoni.

Zemrat janë me ngjyra të llojllojshme, disa nga to të kuqe, disa të tjera rozë, e disa edhe të bardha. Ato janë të vendosura pikërisht në sfondin që gazetarët e përdorin për raportim nga Shtëpia e Bardhë.

Vendosja e zemrave është strategjike, dhe do t’i bëjë ato të shihen përmes kamerave televizive si sfond për lajmet e reporterëve.

Fjalët e shkruara në këto zemra kane mesazh paqeje dhe motivimi, të tilla si “Bashkim”, “Shërim”, “Guxim” e “Dashuri”.

Zyra për informim e zonjës Biden, bëri të ditur se këto mesazhe janë një surprizë, për nderë të “Shën Valentinit”.

Ndërsa, zonja e parë është pyetur nga gazetarët se pse e ka bërë këtë gjest dhe cili është mesazhi që përçon tek njerëzit, Jill u përgjigj:

“Unë thjeshtë doja ca gëzim dhe mendoj se me pandeminë, të gjithë mbase nuk ndihen mirë, kështu që është vetëm një gëzim i vogël, pak shpresë. Kjo është e gjitha.”

Bashkë me Jill, pyetjeve të gazetarëve i’u përgjigj edhe bashkëshorti i saj, Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.

Në pyetjen se çfarë mesazhi ka për njerëzit amerikan të cilët për momentin janë në një disponim jo të mirë, ai tha:

“I thoni atyre që ka shpresë. Ka shpresë. Qëndroni të fortë”.

Pastaj, ai u pyet edhe rreth dhuratës së tij për Jill në këtë Shën Valentin, por Joe Biden u përgjigj me shaka duke ju shmangur pyetjes, ai tha se dhuratat nuk tregohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore