Shqipëria

Jeta ‘nuk’ osh qef për ‘Lolitën’, por as për Veliajn


Zëshëm qarkulloi në media online dhe ato sociale, lajmi se kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, kishte goditur “rivalët gjobëvënës”, portalin “Jeta osh qef” dhe faqen në Instagram, të emërtuar “Lolita”, pasi kishte publikuar emrat e dy personave që fshihen pas tyre.

Jeta osh qef, prej vitesh një portal i angazhuar edhe në media sociale, sa i përket publikimit të gjithçkaje, përveçse vetes.

Rënien e një tulle nga një pallat i vjetër në Tiranë, përplasje mes biçikletash, këmbësorësh, sherre banale, kafshime qensh, apo persona duke u puthur treshe e katërshe në lokale. Gjithë këto mund të gjenden nën logon “JOQ”.

Ndërsa, “Lolitën”, një ironi karakterizuese (pasi ajo merret me fenomene politike apo sociale), e karakterizon në postimet e saj dhe në fakt, ajo nuk është media, por një iniciativë vetjake e dikujt që fshihet pas pseudonomit dhe luan me fjalët e ngjarjet, duke pasur pëlqyeshmërinë e një publiku të gjerë në Facebook dhe Instagram.

Ndaj, me JOQ-in nuk ia vlen të merret dikush si fenomen mediatik, pasi në më të mirën e mundshme, është anti-mediatik.

Po me Lolitën, ç’patën?

Pretendimi i Veliajt në fakt, kur ai po fliste përballë disa punonjësve të shoqatës së autobusëve kryeqytetas, ishte i tillë, se përveç JOQ-it, edhe Lolita merrej me “gjobëvënie” kundrejt shoqatës dhe Bashkisë.

Ai shkoi deri aty, sa të shtonte se një padi për të dy personat që qëndrojnë pas faqeve, po përgatitej të shkonte në Prokurorinë e Tiranës.

Nuk ndaloi me kaq. I tregoi publikisht dy personat që zotërojnë faqet, një vajzë dhe një djalë, të cilët tekefundit, nuk dihet realisht dhe faktikisht nëse ata janë personat e pretenduar nga kryebashkiaku më i rëndësishëm në Shqipëri.

Po sipas Veliajt, shumë biznese kanë shprehur pakënaqësi ndaj dy personave, pasi ata vendosin gjoba kundrejt tyre.

Mirëpo as këtu nuk e ndali, sepse ia përmendi zotërueses së Lolitës edhe fëmijët, në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke i kërkuar që fëmijët e saj, ajo të mos i rrisë me gjoba, por me punë të ndershme.

Është kjo në realitet pune e një kryebashkiaku?

Nuk i takon rolit të tij institucional të vendos rregullatorin e asaj çka publikohet.

As nuk është detyrë e tij, të merret me thashetheme në konferenca për media, apo të përmendë emra fëmijësh e emra vajzash. Prokuroria, në çdo rast është aty, nëse prova të qenësishme i zotëron lidhur me pretendimet, për t’i proceduar.

Apo është tekefundit një shqetësim personal i Veliajt, të cilit iu bashkuan edhe të tjerë emra të artit apo jetës publike, me “zemërim” kundrejt faqeve?

Në më të mirin e rasteve, ai po mbron disa parime, veçse këtë s’mund ta themi.

Por e sigurt tashmë është se (Jeta), nuk (osh) më (Qef).

As për Lolitën, dhe madje as për vetë Veliajn në këtë pikë!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore