Kosova

“Java e Krenarisë”, të drejtat e njeriut në Kosovë këtë vit shënuar regres të theksuar


Ilustrim

“Javës së Krenarisë” është hapur mbrëmjen e së hënës në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që të punohet më shumë për dashurinë në shoqëri, në shtet dhe në familje.

“Le të punojmë më shumë për dashurinë në shoqëri, në shtet dhe në familje sepse dashuria është dashuri”, është shprehur ajo.

Sipas komunikatës së dërguar nga Prishtina Pride, presidentja Osmani ka bërë thirrje për përkrahje për personat LGBTQI+ në Kosovë.

“Java e Krenarisë 2022” do të zgjasë ndërmjet datave 6 dhe 9 qershor.

Ndërsa Arbër Nuhiu, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Zhvillimin e Grupeve Sociale, vlerëson që Qeveria Kurti është më e mbyllura sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTIQ+.

“S’po them që qeveritë e tjera kanë qenë më të mira, por kjo është e mbyllur kundrejt këtyre çështjeve”, ka thënë Nuhiu për Klan Kosova.

Nuhiu ka shtuar se edhe në hapjen zyrtare të Javës së Krenarisë, krerët e shtetit thanë fjalë të mira sipas tij, vetëm për të dalë korrekt politikisht.

“Mesazhi s’ka qenë i keq, por janë forma që me dalë politikisht korrekt dhe thonë fjalë të mira. Për mua nuk kanë rëndësi mesazhet, por veprimet. Është një prej situatave ku një qeveri e tërë është e mbyllur karshi çështjeve të LGBTI+”.

A vlerëson se ky vit duhet të karakterizohet me regres të theksuar sa i përket çështjes së të drejtave të njeriut, “në mënyrë të veçantë të drejtave të personave LGBTI+ në Kosovë”.

“Tu e pas parasysh që kemi pas sfida gjatë kohës kur është mbajtur seanca plenare rreth Kodit Civil, ku për herë të parë në historinë e legjislaturave të Kosovës që deputetët e folën një gjuhë ofenduese, të urrejtjes dhe të gërditshme dhe mendoj që ky ka qenë një shqetësim i madh i cili na kthen shumë hapa prapa”, përfundoi Nuhiu.

Arbër Nuhiu, Drejtor Ekzekutiv në Qendrën për Zhvillimin e Grupeve Sociale

Grupi organizativ i “Prishtina Pride”, ka bërë të ditur se slogani i këtij edicioni të Javës së Krenarisë është “Edhe n’shtet, edhe n’familje”.

“Parada ka për qëllim mbështetjen dhe promovimin e diversitetit dhe barazisë për komunitetin LGBTI në Republikën e  Kosovës. Ceremonia e hapjes së Javës së Krenarisë/Paradës së Krenarisë në Kosovë do t’i paraprinë realizimit të aktiviteteve tjera në kuadër të Javës së Krenarisë”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.

Më 16 mars të këtij viti, ligjvënësit e Kuvendit të Kosovës nuk ia anë dhënë dritën e gjelbër Projektkodit Civil, në seancën parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Në sallë ishin të pranishëm 77 deputetë ndërsa 16 prej tyre nuk participuan fare në votim.

Nga 61 deputetët të cilët morën pjesë në votim, vetëm 28 prej tyre kanë votuar pro ndërsa kundër 29.

E në anën tjetër katër deputet kanë abstenuar.

Arsyeja e kundërshtimit të Projektkodit të ri Civil edhe nga deputetët e shumicë ishte një nga nenet, i cili hapë rrugën për ligjin që lejon martesat e gjinisë së njëjtë.

Ndryshe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në foltoren e Kuvendit, duke e arsyetuar Kodin Civil, kishte kërkuar nga ligjvënësit që të votojnë atë.

Sipas Kurtit, në kodin civil është rregulluar pjesa statusore e personave fizik, dhe se si risi është ndalimi i martesave të hershme.

“Janë rregulluar punët juridike kontratat, testamentet. Te familja, këtu duhet të theksojmë dy çështje të rëndësishme, është pasuria e përbashkët është caktuar të jetë e barabartë. Këtu risi është edhe ndalimi i martesave të hershme. Është një pikë e rëndësishme gjithashtu që është diskutuar e keqkuptuar që ka të bëjë me regjistrimin e bashkësive civile të personave me gjini të njëjtë. Në fund të fundit të drejtat e njeriut janë të drejtat e të gjithë njerëzve”, koshte thënë ai.

Sipas tij, me këtë kod është paraparë mundësia që personat të të njëjtës gjini të regjistrohen si bashkësi civile dhe se kodi nuk e ka rregulluar martesën mes tyre.

“Ajo do të rregullohet me një ligj të veçantë. Kodi nuk është i mjaftueshëm kjo është në pajtim edhe me kushtetutën. Kodi nuk rregullon martesat. Martesa dallon nga Bashkësia civile sepse kjo mundëson vetëm bashkëjetesën dhe jo format tjera”, koshte thënë kryeministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore