Kosova

Jasharaj i SBASHK-ut: Nuk do t’i mbrojmë mësimdhënësit që s’vaksinohen


Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë nuk do të mbrojë mësimdhënësit që nuk vaksinohen nëse ndaj tyre merret ndonjë masë ndëshkuese.

Kështu ka deklaruar për KP kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, i cili apelon te mësimdhënësit që gjatë këtij muaji të imunizohen kundër COVID-19 në mënyrë që të mos rrezikohet fillimi i vitit të ri shkollor.

“Ata që nuk vaksinohen për tekat e tyre ose për ndonjë teori konspirative, SBASHK-u nuk do t’i mbrojë të tillët në qoftë se institucionet marrin masa kushtëzimi, apo më vonë edhe masa ndëshkuese. Pra, nuk do t’i mbrojmë sepse ata duhet të ulen dhe të mendojnë nëse janë vaksinuar një pjesë e madhe pse ata nuk vaksinohen”, ka thënë Jasharaj

“Gushti dua të bëhem optimist do të vijë deri gati te 100 për qind të të vaksinuarve me dozën e parë, një numër goxha të madh me dozën e dytë dhe këta po them në mënyrë figurative gjumashët që kanë pritur do ta marrin dozën e parë. Krejt këtë apel po e bëjë për hir të nxënësve, për hir të sistemit arsimor”.

Sipas tij, “është tejet e rëndësishme që të përfundojë vaksinimi i mësimdhënësve në mënyrë që të mos rrezikohet fillimi i vitit të ri shkollor dhe të eliminohet mundësia që mësimi të nis online”.

Ai shprehet se nëse mësimdhënësit nuk do të vaksinohen dhe do të ketë përkeqësim të situatës me COVID-19, atëherë ata do ta kenë peshën e fajit të tyre.

“Uroj që mësimdhënësit të mos hezitojnë të shkojnë të vazhdojnë me vaksinimin në mënyrë që ta kemi një vit të ri, të suksesshëm, por do të jetë i suksesshëm vetëm nëse bëhet në institucione arsimore. Çdo version tjetër i mësimit do të jetë tepër më telashe dhe tepër i vështirësuar, por në të gjithë këtë angazhim unë po them secili duhet të bëjë punën e tyre.

Kryetari i SBASHK-ut, shton se nëse mësimdhënësit do të kryejnë obligimin e tyre për t’u vaksinuar, atëherë si sindikatë do të kenë mundësi që institucioneve të vendit t’iu parashtrojnë kërkesat e tyre.

Në të kundërtën, ai pohon se zëri i tyre do të jetë më i heshtur dhe se do të jenë bashkëfajtor nëse situata me COVID-19 brenda shkollave përkeqësohet.

“Le të vaksinohemi le ta kemi gojë qelë për t’i kërkuar kërkesat tona që janë legjitime, por nëse ngelim tek vaksinimi atëherë zëri ynë do të jetë shumë më i heshtur ngase do të jemi bashkëfajtor nëse përkeqësohet situata në sektorin e arsimit”, ka potencuar ai.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) është bërë e ditur se deri më tash janë 17 mijë e 483 punëtorë të arsimit të vaksinuar, derisa numri i përgjithshëm i mësimdhënësve në nivel vendi është 24 mijë e 370.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore