Kosova

Izraeli dhuron 70 karroca donacion për personat me aftësi të kufizuar në Kosovë


Ceremonia e dhurimit të 70 karrocave për personat me aftësi të kufizuar.

70 karroca janë dhuruar për personat me aftësi të kufizuar nga shteti i Izraelit, donacion ky i cili jepet për herë të dytë për Kosovën.

Drejtuesi i organizatës “Handikos-Kosova”, Afrim Maliqi gjatë ceremonisë është shprehur i lumtur për këtë donacion, ndërkaq ka bërë të ditur se janë duke punuar akoma në këtë drejtim.

“Ka disa progrese, por ato progese do të shihen në fund të vitit meqenëse jemi ende para përfundimit të vitit. Ndërsa, sa i përket pajisjeve ndihmëse ne e kemi kënaqësinë kur është kontingjenti i dytë tash prej 70 karrocave që i marrim nga shteti i Izraelit, shtet mik i yni dhe këto karroca do t’i shërbejnë fëmijëve me aftësi të kufizuara si në Prishtinë edhe në komunat e tjera”, tha Maliqi.

Drejtuesi i organizatës “Handikos-Kosova”, Afrim Maliqi.

Ai ka theksuar se presin mbështetje të vazhdueshme nga institucionet e Kosovës.

“Ne normalisht presim përmirësim dhe mbështetje nga institucionet tona. Jemi një grup mund të them lirisht që personat e kufizuar janë persona më optimist për kundër asaj se janë grupi më i rrezikuar dhe me i varfër”.

Edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi u shpreh i lumtur për dhurimin e këtij donacioni.

“Shumë i lumtur që sot jam sërish këtu. Bashkë bëmë dorëzimin e karrocave të para tash ka ardhur edhe kontingjenti i dytë me numër 70 dhe jem shumë të lumtur që 70 fëmijë të Kosovës të regjioneve të ndryshme do të kenë mundësinë të përfitojnë”, deklaroi Krasniqi.

Duke shtuar se është, “shumë i lumtur që e filluam bashkëpunimin me një kujdes të veçantë ndaj personave me nevoja të veçanta”.

E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.

Ajo deklaroi se “këto karroca që sot shteti i saj i ka dhuruar për qytetarët e Kosovës me aftësi të kufizuara, janë simbol i miqësisë mes dy vendeve”.

Ndërsa, është shprehur optimiste se shpreson që me përdorimin e këtyre 70 karrocave do të lehtësohet jeta e këtyre personave.

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka shpallur vitin 2022 si vit të personave me aftësi të kufizuar.

Nga viti 2009 Kosova ka një ligj të veçantë që obligon çdo institucion publik dhe privat që në çdo 50 punëtorë të ketë të punësuar një person me aftësi të kufizuar.

Ligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara ka për qëllim të avancojë pozitën socio-materiale dhe integrimit në jetën e përditshme të personave me aftësi të kufizuara.

Sipas këtij ligji, punëdhënësi i cili nuk i përmbush detyrimet që dalin nga ligji, obligohet që për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, të paguajë në buxhetin e Kosovës kontribute mujore në lartësi prej 1 për qind të shumës së pagës minimale.

Përkundër kësaj ky ligj nuk gjen zbatim në praktikë.

Kosova, kritika ka vazhdimisht edhe për ofrimin e dobët të shërbimeve për këtë kategori të qytetarëve si dhe për ofrimin e qasjes në arsim.

3 qershori, njihet si Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Veçanta.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se një miliard njerëz në të gjithë botën jetojnë me aftësi të kufizuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore