Lajme

Ish-presidenti kroat: “Kosova, fakt dhe realitetit i pazhbëshëm që Serbia duhet ta pranojë”


Ish-Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç

Kosova është fakt dhe realitet i pazhbëshëm, ka thënë ish-presidenti kroat, Stjepan Mesiç.

Serbia duhet ta njohë këtë realitet sa më parë, tha Mesiç për agjencinë turke të lajmeve Anatolia.

Kosova ishte pjesë integrale e zingjirit federativ të ish-Jugosllavisë, dhe njëjtë siç u ndanë shtetet e tjera u nda edhe ajo, tha Mesiç.

“Kam folur mjaftueshëm për këtë. Mendoj se bota duhet ta kuptojë, e pastaj edhe Serbia, se Kosova është fakt; Kosova është realitetit që nuk mund të kthehet prapa”.

Ish-presidenti kroat tha se do të ishte mirë që Kosova të angazhonte një delegacion ekspertësh diplomatikë në vendet afrikane për t’u treguar se pse duhet të njihet Kosova.

“T’u shpjegohet se Kosova ishte pjesë integrale e federatës jugosllave. Duhet të kuptojmë se çfarë është federata. Është zingjir. Dhe kur të gjitha hallkat janë në zingjir, atëherë është federatë, por nëse zingjiri këputet atëherë ajo nuk është më dhe secila hallkë mbetet më vete. Prandaj, e njëjta gjë është edhe me Kosovën”, ka shpjeguar Stjepan Mesiç.

Mes tjerash Mesiç u shpreh pozitivisht edhe për iniciativën e Ballkanit të Hapur, për çka tha se “duhet të kemi frikë nga mbyllja, e jo nga hapja”.

“Mbase është ide e mirë, Ballkani i Hapur, të hapemi ndaj njëri tjetrit, mund të jetë një hap dhe hapësirë më shumë për t’u përfshirë në hapësirat e Ballkanit dhe të komunikojmë me njëri-tjetrin. Nuk është keq që hapësira të hapet, që kapitali të qarkullojë, që qytetarët të kalojnë lirshëm kufijtë, kjo do të ishte e mirë për të gjithë. Prandaj, nuk duhet pasur frikë. Ne duhet të kemi frikë nga mbyllja dhe jo nga hapja”, siguroi Mesiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore