Shqipëria

Interpelanca për zonat e mbrojtura përplas Zhupën me Kumbaron


Ina Zhupa – deputete e Partisë Demokratike (PD) – në interpelancë me ministren e Turizmit Mirela Kumbaro, ka parashtruar disa pyetje për Parkun Kombëtar të Butrintit.

“Ky është një shesh ndërtimi në një zonë të mbrojtur, që ka reaguar UNESCO. Më sqaroni se si i shërben betoni mjedisit? Si i shpërben mjedisit shkatërrimi i lagunave dhe lumenjve?”, ka pyetur ajo.

Sipas saj, kush pret pyjet dënohet dhe quhet kriminel. “Kurse një njeri që merr zonën e mbrojtur, shkatërron pemë dhe kafshë dhe quhet investitor strategjik”.

“Ky është standardi që keni ndërtuar”, i drejtohet Zhupa ministres.

Ndërkohë Kumbaro, teksa mbron ligjin për zonat e mbrojtura, ka përmendur si shembull shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.

Dhe ka veçuar një projekt prej 75 milionë dollarësh për trajtimin e ujërave të ndotura që derdhen në këtë lumë.

“75 milionë dollarë është marrëveshja me Bankën Botërore për trajtimin e ujërave të zeza që derdhen në Vjosë. E kemi shpallur mjedisin prioritet kombëtar, 480 km të Vjosës plus tre degët e lumenjve janë 12 mijë hektarë zonë e mbrojtur. Përmes vendimmarrjes racionale dhe një bashkëpunimi shembullor me shoqërinë civile dhe partnerë ndërkombëtar, duke krijuar një model dinjitoz se si mund ta kthejmë biodiversitetin në një kartë vizite për Shqipërinë”, ka thënë ajo.

Ministrja ka vijuar duke thënë se ka vlerësuar edhe ligjin për moratoriumin e gjuetisë.

“Është kjo mazhorancë që ka vendosur moratoriumin e gjuetisë duke kthyer gjallesat në shtëpinë e tyre. Lejlekët na u kthyen edhe këtë vit në Gjirokastër dhe ky është një lajm i mirë”.

Po ashtu Kumbaro ka përmendur edhe vendimet e mazhorancës që ndër vite e kanë rritur sipërfaqen e zonave të mbrojtura në 21,5% të territorit të Shqipërisë.

Në lidhje me ligjin, ministrja ka sqaruar se është në përputhje me standardet ndërkombëtare të Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës (IUCN), ku Shqipëria u anëtarësua për herë të parë në vitin 2024.

“Ligji i amenduar është në përputhje me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit siç janë ato të IUCN dhe direktivave Europiane përkatëse, dhe mbi të gjitha me frymën e kohës, për të arritur ekuilibrin e nevojshëm mes mbrojtjes së natyrës, biodiversitetit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore