Lajme

Integrimi euro-atlantik i Kosovës në fokus të “vizitës së veçantë” të Gërvallës në misionin e Shqipërisë në NATO


Donika Gërvalla-Schwarz

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, vizitoi misionin e përhershëm të Shqipërisë në NATO, në kuadër të vizitës në selinë qendrore të aleancës në Bruksel, ku vlerësoi lartë rolin e Shqipërisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe falënderoi shtetin shqiptar për mbështetjen ndaj Kosovës.

Në njoftimin e lëshuar nga MPJD-ja bëhet e ditur se kryediplomatja kosovare përgëzoi Shqipërinë për të arriturat e fundit në fushën e sigurisë duke përfshirë inaugurimin e Bazës Ajrore Taktike të NATO-s në Kuçovë – qytezë në pjesën jugqendrore të vendit – si një pikë e rëndësishme gjeostrategjikë jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Gjatë këtij takimi Ministrja Gërvalla vlerësoi lartë rolin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor si dhe shprehu falënderimet për mbështetjen ndaj Kosovës në rrugën e saj të integrimit euroatlantik”, u tha në njoftimin e MPJD-së.

Ndryshe, shefja e diplomacisë kosovare vizitën në selinë e aleancës veri-atlantike e nisi të martën, ku takoi Ndihmës-Sekretarin e Përgjithshëm për Çështje Politike dhe Politika të Sigurisë, Boris Ruge, ku edhe deklaroi se Kosova është faktor kyç i paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Në njoftimin e lëshuar nga MPJD-ja të martën u tha se kryediplomatja kosovare theksoi se Kosova është e gatshme dhe e vendosur të fillojë dialogun dhe procesin e konkretizimit të marrëdhënieve me NATO-n, duke vënë në pah se Kosova si faktor kyç dhe i dëshmuar si kontributdhënëse për paqe dhe siguri në rajon dhe përtej i ka përqafuar vlerat euroatlantike.

“Vëmendje e veçantë gjatë këtij takimi kanë zënë dhe aspektet politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon, duke nënvizuar obstruksionet dhe sulmet e vazhdueshme të Serbisë si dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të influencave të huaja për destabilizim të Kosovës dhe rajonit, në veçanti asaj ruse në Ballkanin Perëndimor”, njoftoi MPJD nëpërmjet një komunikate për shtyp.

Gërvalla falënderoi NATO-n për mbështetjen e vazhdueshme, derisa nënvizoi se është i domosdoshëm përparimi i proceseve integruese deri në “anëtarësim të plotë” të Kosovës në aleancën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Ndryshe, katër vende anëtare të NATO-s – Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia – nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore