Lajme

Infektologët paralajmërojnë se Kosova mund të rrezikohet nga varianti Omicron


Ilustrim

Ani pse në Kosovë ende nuk është konfirmuar asnjë rast me variantin e ri të Coronavirusit, i njohur si Omicron, Kosova mund të rrezikohet nga përhapja e tij.

Kështu kanë deklaruar infektologët, të cilët kanë bërë apel te qytetarët për respektim të masave mbrojtëse, meqë ende nuk dihet shkalla e saktë e agresivitetit të këtij varianti i cili tashmë është përhapur në shumë vende të botës.

Infektologu Sali Ahmeti, ka thënë se periudha e festave të fund vitit rrit rrezikun për shfaqjen e rasteve me këtë variant të virusit edhe në Kosovë.

“Ky variant paraqet një kërcënim edhe për neve, sidomos tash afër festave të Vitit të Ri kur te ne munden të vijnë bashkëqytetarët tanë nga vende të ndryshme të botës”, është shprehur ai për REL.

Infektologu, Sali Ahmeti

“Ne duhet të jemi syhapur dhe vigjilentë. Duhet t’i përcjellim kërcënimet potenciale që mund t’i paraqesë ky virus”, shtoi ai.

Një rrezik të mundshëm të shpërndarjes së këtij varianti në Kosovë, e ka pohuar edhe infektologu, njëherësh edhe Drejtor i Shërbimit Klinik Spitalor dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi.

Drejtor i Shërbimit Klinik Spitalor dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi.

“Atë që e kemi parë në variantet e tjera, është jo e besueshme që ndonjë vend mundet të kursehet. Varet edhe sa do të ketë qarkullim të njerëzve”, potencoi Krasniqi.

Ndërkaq, deri më tani, varianti Omicron është shpërndarë në shumë vende të botës, përfshirë edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Itali, Belgjikë, Danimarkë, Izrael, Australi, Hong Kong dhe Çeki.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, ka paralajmëruar se në fund të muajit nëntor do të bëhet rishqyrtimi i masave të cilat janë në fuqi dhe se do të merren masa të tjera, “sipas nevojës dhe zhvillimeve lidhur me COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore