Bota

Inaugurimi i Biden-it kryesisht virtual


Inaugurimi i presidentit të zgjedhur, Joe Biden, më 20 janar, do të jetë kryesisht virtual, me pjesëmarrës të pakët dhe i transmetuar edhe në media sociale.

Situata e krijuar nga Covid-19 e ka bërë të pamundur zhvillimin e inaugurimit në kushte normale. Thirrje u është bërë edhe qytetarëve amerikanë, që të mos udhëtojnë drejt Washington-it për inaugurimin e presidentit.

Ndër pjesëmarrësit e zyrtarizuar, është ish-presidenti amerikan, George W. Bush. Ai do të jetë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Laura.

Bush ka deklaruar se “pavarësisht përplasjeve ideologjike që ka pasur me Biden-in”, ai do të marrë pjesë në inaugurim. “E di se Biden është një njeri i mirë dhe do të punojë për Amerikën”, shtoi Bush.

Bush ka qenë pjesëmarrës edhe në inaugurimin e ish-presidentit Barack Obama.

Ndërkohë është mësuar se ish-presidenti Jimmy Carter, nuk do të jetë pjesëmarrës në inaugurimin e Biden-it. Carter është 96 vjeç dhe gjendja e tij shëndetësore është jo e qëndrueshme.

Përtej rrezikut që lind nga situata e Covid, Carter-i i ka mbijetuar kancerit në tru dhe mëlçi. Ndërkohë në 2019-ën ai u shtrua në spital për shkak të përkeqësimit të shëndetit.

Ndërkohë, ish-presidenti Obama, nuk ka deklaruar ende nëse do të marrë pjesë në ceremoninë inauguruese apo jo. Obama është një nga mbështetësit më të mëdhenj të Biden-it./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore