Shqipëria

Ilir Meta njofton protestën e parë në krye të Partisë së Lirisë


Pas largimit nga Presidenca, ish-kreu i shtetit Ilir Meta kishte premtuar se do të ishte një shtator “përvëlues” opozitar.

Të martën e 6 shtatorit, në cilësinë e kryetarit të Partisë së Lirisë, ai thirri protestën e parë të kësaj force politike.

“Këtë rast e kemi marrë iniciativën, pasi jemi marrë me çështjen e inceneratorëve. Të gjithë janë të mirëpritur, në radhë të parë si qytetar”, u shpreh fillimisht Meta.

Kreu i PL-së sqaroi se protesta do të zhvillohet tek inceneratori i Tiranës, më 13 shtator.

“Protesta e parë në vendin e krimit, ta bëjmë pas një jave, të martën që vjen në orën 18:00 tek inceneratori i Tiranës”, shtoi ish-presidenti shqiptar.

Sipas tij, Partia e Lirisë do mbështesë çdo protestë që bëjnë të gjitha forcat politike, të gjithë grupet e interesit, kundër korrupsionit, kundër kapjes së shtetit.

Kjo, pasi konsiderohen në radhë të parë si protesta të qytetarëve.

“Janë taksat e tyre që merren, që vidhen, që shkojnë te kompania mëmë atje në Holandë. Në vend që të vinë lekët e tyre këtu”, akuzoi Meta.

Në përmbyllje kreu i kësaj force politike sqaroi se prioritet mbetet edhe “afera”, siç e quan ai, “e Portit të Durrësit”.

“Ashtu siç kemi korrupsionin prioritetin numër 1 dhe afera e inceneratorëve ka qenë dhe mbetet kryevepra e korrupsionit, jo thjesht në sasi, është shumë më tepër se 500 milionë euro. Ka edhe afera më të mëdha siç është porti i Durrësit”, ravijëzoi në përmbyllje Meta.

Hetimet

Prokuroria e Posaçme (SPAK) në Shqipëri do të niste verifikimet më 5 korrik.

Kjo, pas denoncimit të ish-kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim (Partia e Lirisë), Monika Kryemadhi.

Ajo do të nënvizonte se janë 24 kompani të cilat kanë kryer 189 milionë dollarë evazion fiskal të lidhura me inceneratorët.

“Ka blerje korruptive, të ndara në fatura të vogla, nuk blihet në llogari bankare që lëvizja financiare mos bëhet me llogari bankare, por kesh, e shitja nga fruta ekzotike në beton është bërë me pagesë bankare, por pagesat bankare nuk janë kryer. Përveçse pagesat nuk kryhen, kompanitë që kanë bërë blerje marrin dhe rimbursimin e TVSH-së”.

Kjo gjë do të mohohej nga kompania e inceneratorëve “Integrated Energy”, përmes një postimi në median sociale “Facebook”.

Nga kompania u theksua se nuk ka furnitorë asnjë nga subjektet e përmendura prej Kryemadhit.

“Për rrjedhojë nuk ka asnjë shkëmbim tregtar me asnjë prej tyre. Kompanitë që përmend Kryemadhi nuk janë bashkëpunëtore në veprimtaritë tona”.

Kështu IEBV-ja vërente se opinioni publik do të binte pre e “dezinformimit të qëllimshëm, me akuzat e hedhura kundrejt Shoqërisë Kryemadhi”.

Për kompaninë, dokumentet dhe e vërteta janë të aksesueshme.

“Investimi dhe puna e përditshme po ashtu. Ne refuzojmë çdo shpifje, hamendje, apo dashakeqësi që keqinformon publikun për qëllime politike apo çfarëdo qëllimi tjetër”.

Nga ana tjetër, Kryemadhi do të shprehej se dy pensionistë kanë blerë biznese me vlerë 30 milionë dollarë dhe se gjithë ky evazion fiskal po denoncohet në një kohë kur kompania nuk gjendet.

“Për të humbur gjurmët, kompanitë shiten në persona të tjerë, pra blej fruta, shit zhavorr, blej ujë e shit hekur. Këta dy pensionistë kanë blerë biznese me 30 milionë dollarë. Gjithë ky evazion fiskal sot që bëjmë denoncimin kompania nuk gjendet”.

Ndalur te hetimet e SPAK-ut, inceneratori i Tiranës është ende nën hetim.

Prokuroria po kryen hetimet e nevojshme, mes të cilave përfshihet edhe marrja në pyetje e dy të moshuarve, të cilët rezultojnë pronar pa dijeninë e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore