Kosova

IKSHPK: Varianti Omicron rrezikon të përhapet në Kosovë


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës(IKSHPK), ka paralajmëruar se varianti Omicron i Coronavirusit mund të rrezikojë përhapjen duke qenë se është raportuar në shumë vende të botës.

“Situata epidemiologjike në Kosovë aktualisht është stabile, por në rajon, Evropë dhe botë është rënduar javët e fundit me shfaqjen e variantit të ri të virusit SARS CoV-2 Omicron (B.1.1.529) i cili është raportuar tashmë në shumë shtete të botës dhe rrezikon përhapjen e këtij varianti edhe në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e IKSHPK-së

Por, që kjo situatë epidemiologjike në Kosovë edhe mund të përkeqësohet.

“Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet në rast të rritjes së rasteve të reja, dhe kjo do të mund të paraqesë mbingarkesë të re për sistemin shëndetësor dhe për profesionistët shëndetësor”.

Klinika Infektive në Kosovë.

IKSHPK-ja ka apeluar për respektim të masave dhe që qytetarët të marrin vaksinën antiCOVID-19.

“Andaj, IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, për respektimin e të gjitha masave sipas vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

Ndërkaq ka sqaruar se është duke vazhduar gjurmimi i rasteve për variantin Omicron edhe në Kosovë.

“Ne jemi duke vazhduar pandërprerë me gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik”.

Ndryshe, me gjashtë dhjetor disa mostra të qytetarëve nga Kosova që dyshohet se janë infektuar me virusin më të ri Omicron janë dërguar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në Gjermani për analiza.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se deri tani nuk është raportuar ndonjë vdekje që lidhet me variantin e ri të Coronavirusit, Omicron, variant ky që është detektuar në pothuajse 40 shtete të botës.

OBSH-ja ka thënë se më tre dhjetor ende duhet kohë për të kuptuar se sa infektues është ky variant, nëse shkakton sëmundje më të rënda dhe sa janë efektive trajtimet dhe vaksinat kundër Omicronit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore