Shqipëria

“Ikonë e letërsisë, “gjigant i letrave”, “ambasador i krijimtarisë shqiptare”, opozita për humbjen e Kadaresë


Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe shkrimtari Ismail Kadare.

Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, duke thënë se bota shqiptare të hënën u zgjua në zi.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abixhiku, përmes një telegrami ngushëllues të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se kontributi i Kadares do të mbetet gjithmonë referencë për kulturën e letërsinë – si vlera universale që kapërcejnë kufijtë nacional.

“Ai ka paraqitur tablon e errët nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria komuniste, vuajtjet, sakrificat, por edhe vlerat e mirëfillta shqiptare. Ai përmes mijëra faqeve të shkruara ka promovuar traditën dhe kulturën shqiptare në botë, duke i dhënë një vlerë të shtuar jo vetëm letërsisë shqipe, por edhe mbarë kontinentit dhe më gjerë”.

“Kadare do të mbetet ikonë e letërsisë, mjeshtër i papërsëritshëm, një intelektual i shquar, një patriot i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm që përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në botë”.

Për Abdixhikun, veprat e Kadaresë janë të përjetshme.

“Nga sot Shqipëria dhe bota e letërsisë humbën një personalitet të madh, i cili u shua vetëm fizikisht por vepra e tij është e përjetshme; siç dhe emri e kontributi i tij në kulturën dhe letërsinë botërore do të mbetet i përjetshëm”, ka thënë Abdixhiku.

Ndërsa kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka vlerësuar Kadaren si “gjigant të letrave shqipe”.

“Një personalitet dhe një zë i cili përgjatë jetës së tij i bëri jehonë thellësive të historisë, kulturës dhe vetë shpirtit tonë njerëzor. Shkronjat dhe fjalët e tij thurën mozaikun e ndërlikuar të shqiptarëve, duke sjellë në jetë betejat tona, triumfet tona dhe shpirtin tonë të palëkundur”, ka shkruar ai.

Ngjashëm si për Abdixhikun, ashtu edhe për Krasniqin, Kadareja u largua vetëm fizikisht.

“Megjithatë, duke na e thyer edhe korrikun, Gjeneralin e letrave shqipe vdekja na e mori vetëm fizikisht. Ai, nëpërmjet rrëfimeve dhe veprave që la mbrapa, ka kapërcyer hendekun e kohës dhe fizikes, duke i takuar barasvlefshëm dhe përjetësisht të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes tonë”.

“Ismail Kadare ishte më shumë se një shkrimtar; ai ishte mishërimi i krenarisë shqiptare, fanar i identitetit tonë kombëtar dhe kampion i trashëgimisë sonë letrare dhe kulturore”.

Ndërsa, kryetari i AAK-së dhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Kadareja ishte shqiptari më i famshëm në glob.

Njeriu që e lartësoi Kombin, që e lartësoi Shqipërinë, që lartësoi Kosovën dhe që letërsinë e një kombi të vogël e futi në analet e letërsisë së përbotshme”.

Ai u shpreh se Kosova e Shqipëria e humben ambasadorin e krijimtarisë shqiptare.

“Ne sot e kemi humbur gjeneralin e letrave shqipe, e kemi humbur ambasadorin e krijimtarisë shqiptare në botë, e kemi humbur Ismail Kadarenë, emri i të cilit i ngërthen në vete krejt vlerat më të larta që mund t’i ketë njeriu!”.

Të hënën e 1 korrikut ndërroi jetë shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare.

Udhëtimi i Kadaresë nga poezia si përfytyrim, në tokën e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore