Shqipëria

Ideja inovative e Edison Veizajt për turbinat e erës të lundrueshme në det


Ky vit – përpos konflikteve të trishta dhe të përgjakshme – është edhe viti i vëmendjes së drejtuar kah ndryshimeve klimatike.

Ndoshta me vonesë, se emetimet nga lëndët djegëse fosile i kanë dhënë efektet e tyre të padëshiruara, prapëseprapë kanë kryesuar agjendën globale.

Ndjenja e urgjencës për veprim ambicioz për klimën ka diferencuar nga çështjet e tjera madhore.

Në samitin e klimës të këtij viti, Cop28, kombet pritet të ndërmarrin një “mbledhje globale” për herë të parë që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Parisit në vitin 2015, për të vlerësuar nëse ata janë në rrugën e duhur për të përmbushur angazhimet e tyre për të ulur emetimet.

Ndërkohë, urgjenca për të dhënë zgjidhje inovative nuk mungon.

I riu shqiptar, Edison Veizaj, dhe ideja e tij inovative për krijimin e kushteve sa më të mira për transportimin e turbinave të erës të lundrueshme në det, është vlerësuar me çmim në Norvegji.

Ai është student në Universitetit Politeknik të Tiranës në programin Master Shkencor për Menaxhim Energjie.

Së fundmi, ai fitoi bursën në programin e shkëmbimit studentor Erasmus+ me Norwegian University of Science and Technology (NTNU) ne Gjøvik.

Por rrugëtimi i tij mori një kthesë tjetër.

Sapo mbërriti atje, u lajmërua nga organizata studentore që universiteti së bashku me dy nga kompanitë lider në botë për ndërtimin e anijeve Vard dhe Seaonics do të krijonin një boot camp inovacioni detar.

Në të mund të aplikoje dhe në bazë të disa kritereve plotësuese bëhej një përzgjedhje për 10 inxhinierë nga fakultete në qytete të ndryshme të Norvegjisë.

Boot camp-i zhvillohej në katër ditë në Aalesund.

Pasi shkoi atje, u njoh edhe me çështjet që do të trajtoheshin.

“Tema e përgjithshme për rastin këtë vit ishte turbinat e erës në det të hapur dhe kalimi nga instalimet fikse në ato lundruese”, tregon ai për Albanian Post.

Ata u vunë përballë tre çështjeve për të zgjedhur, 30 inxhinier të ndare në 10 grupe me nga tre.

“Unë së bashku me grupin tim dolëm me idenë e krijimit të kushteve sa më të mira për transportimin e turbinave të erës të lundrueshme në det dhe ndërrimin e fletëve të turbinës kur ato dëmtohen”, rrëfen Veizaj.

I riu shpjegon se ideja duhet të ishte e implementueshme brenda vitit 2030, duhej të shiheshin aspektet financiare dhe koha sa më e shkurtër e kryerjes së punës.

Dhe duke u bazuar në këto kritere, ideja e tyre u vlerësua me çmimin e tretë nga juria.

“Ideja jonë është lehtësisht e implementueshme duke qenë se gjithë mjetet që nevojiten janë aktualisht në treg dhe duke e krahasuar me kostot aktuale që shpenzon një kompani për transportimin e turbinave në det dhe ndërrimin e fletëve, kursen përafërsisht rreth 1.6 milionë euro gjatë një procesi”, dallon ai.

Sipas tij, aktualisht pjesa e turbinave të erës të lundrueshme është në një faze start up-i si teknologji, pasi më e përhapur është ajo e turbinave të fiksuara në det, jo të lundrueshme.

“Ama teknologjia gjithmonë synon të avancojë sa më tepër dhe kompanitë lider e shohin si nevojë kërkimin e ideve të reja inovative lidhur me to”, detajon Veizaj.

Por a mund të aplikohet ideja e tij në terrenin tonë?

Ai thotë se Deti Adriatik ofron një kombinim të mirë të faktorëve kryesorë që mund t’i realizojnë projektet lundruese të turbinave të erës në det të hapur.

Por veçon se, pavarësisht nga era e bollshme, “Shqipëria është ende në hapat e fillimit kur bëhet fjalë për prodhimin e energjisë nga era”.

Në optikën e tij ka një sërë pengesash për t’u kapërcyer.

“Por duke qene se dita-ditës po shkojmë drejt burimeve të rinovueshme, besoj se shumë shpejt do të jetë e arritshme dhe për ne”, përmbyll Veizaj.

Burimet e rinovueshme

Burimet e rinovueshme të energjisë mund të përdoren për të prodhuar energji elektrike.

Ato konsiderohen të rinovueshme sepse rimbushen natyrshëm dhe nuk shterojnë burimet e fundme.

Çka nënkupton se mund të përdoren pafundësisht, ndryshe nga lëndët djegëse fosile që janë të fundme dhe jo të rinovueshme.

Ndërkohë, përdorimi i energjisë së rinovueshme për të prodhuar energji elektrike ka shumë përfitime. Redukton varësinë nga lëndët djegëse fosile, të cilat janë një kontribues i madh në ndryshimet klimatike.

Po ashtu ndihmon në uljen e ndotjes së ajrit, ndotjes së ujit dhe ndikimeve të tjera mjedisore që lidhen me lëndët djegëse fosile.

Burimet e rinovueshme të energjisë mund të krijojnë edhe vende pune, të nxisin zhvillimin ekonomik dhe të rrisin sigurinë energjetike.

Një nga përfitimet kryesore të energjisë së rinovueshme është se ajo është e qëndrueshme dhe nuk prodhon emetime të gazrave serrë.

Kjo e bën atë një zgjidhje thelbësore për reduktimin e emetimeve të gazeve serrë dhe ngadalësimin e ngrohjes globale.

Përdorimi i saj gjithashtu mund të zvogëlojë kostot e energjisë elektrike dhe mund të prodhohet në vend, duke reduktuar varësinë nga importimi i lëndëve djegëse fosile.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore