Lajme

Hungaria kundërshton propozimin e BE-së për ndalimin e importeve të naftës ruse


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është përballur me rezistencë të menjëhershme nga Hungaria pasi propozoi një ndalim të importit të naftës ruse në BE, me qëllim që të sigurohet që Vladimir Putin të paguajë “një çmim të lartë për agresionin e tij brutal” në Ukrainë.

Ajo tha se nafta e papërpunuar ruse duhet të ndalohet brenda gjashtë muajve dhe produktet e rafinuara deri në fund të vitit. Kjo, për të ndihmuar në sakatimin e përpjekjeve luftarake të Putinit.

Shtetet anëtare në Bruksel po shqyrtojnë një paketë të gjashtë të propozuar të sanksioneve, por në një fjalim të mërkurën Von Der Leyen tha se flukset e naftës ruse duhej të ndaleshin, pavarësisht nga dyshimet në disa kryeqytete.

“Le të jemi të qartë: nuk do të jetë e lehtë”, tha Von der Leyen para Parlamentit Evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

“Disa shtete anëtare janë shumë të varura nga nafta ruse. Por ne thjesht duhet të punojmë për të. Tani ne propozojmë ndalim të naftës ruse. Ky do të jetë një ndalim i plotë i importit për të gjithë naftën ruse, në det dhe tubacione, të papërpunuar dhe të rafinuar”.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt, OJQ-ja Europe Beyond Coal llogarit se BE-ja i ka dërguar Rusisë rreth 21 miliardë euro për pagesën e naftës.

Importet ruse përbëjnë 25% të importeve të naftës në BE dhe janë një burim kryesor i të ardhurave për Kremlinin, por niveli i varësisë ndryshon dhe ministrat sllovakë e hungarezë kanë thënë tashmë se do të kërkojnë përjashtime nga propozimet.

Një zëdhënës i kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbán, tha se nuk kishte “asnjë plan dhe garanci” për kalimin pa probleme nga nafta ruse në propozim.

Sllovakia ka kërkuar një periudhë më të gjatë tranzicioni për kalimin e saj nga nafta ruse, por i është ofruar vetëm një vit shtesë për të punuar, gjë që qeveria në Bratislavë thotë se është e pamjaftueshme.

Paketa e sanksioneve do të kërkojë mbështetje unanime nga vendet anëtare të BE-së, përfaqësuesit e të cilëve në Bruksel po shqyrtojnë detajet me shpresën për të arritur një marrëveshje deri në fund të javës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore