Lajme

Hungari/ Orban kritikon Perëndimin dhe Zelensky-n në fjalimin e tij të fitores


Kryeministri nacionalist i Hungarisë, Viktor Orban, ka fituar një mandat të katërt me shumicë votash në zgjedhjet e përgjithshme të vendit.

Partia e tij e djathtë Fidesz, mori më shumë se 53.1% të votave ndërsa aleanca opozitare e udhëhequr nga Peter Marki-Zay ishte shumë prapa me 35%.

Në fjalimin e tij të fitores, Orban kritikoi burokratët e Brukselit dhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke i quajtur ata “kundërshtarë”.

“Kjo ishte një fitore e madhe”, u tha Orban mbështetësve të ngazëllyer në kryeqytetin e vendit, Budapest.

“Ne korrëm një fitore aq të madhe sa mund të shihet nga Hëna dhe sigurisht që mund ta shihni edhe nga Brukseli”, ironizoi Orban.

Hungaria ndan një kufi me Ukrainën dhe ka pranuar më shumë se gjysmë milioni refugjatë deri më tani. Orban këmbëngul se duke ndihmuar njerëzit, por duke refuzuar të furnizojë Ukrainën me armë, ai po e mban Hungarinë jashtë luftës.

Nga ana tjetër, Zelensky ka kritikuar vazhdimisht politikat e Orban.

Zyra Kombëtare e Zgjedhjeve tha se Fidesz do të kishte 135 vende, një shumicë prej dy të tretash dhe aleanca e opozitës do të kishte 56.

Orban, 58 vjeç, ka pasur një marrëdhënie të vështirë me BE-në, e cila konsideron se Fidesz ka minuar institucionet demokratike të Hungarisë.

Në 12 vitet e tij në pushtet, Orban ka ndryshuar kushtetutën, ka mbushur gjykatat e larta me të emëruarit e tij dhe ka ndryshuar sistemin zgjedhor në avantazhin e tij.

Gjatë fushatës, fraza thumbuese e opozitës ishte “Orban-in ose Evropën”.

Kandidati i tyre Peter Marki-Zay argumentoi se Hungaria duhet t’i bashkohet Polonisë, Britanisë së Madhe dhe të tjerëve në furnizimin me armë për Ukrainën. Dhe nëse thirret, dhe vetëm brenda kornizës së NATO-s, duhet të konsiderojë edhe dërgimin e trupave.

Opozita u ankua se Fidesz e kishte izoluar Hungarinë nga rrjedha kryesore evropiane dhe nga demokracia konsensuale, drejtësia dhe mirësjellja.

Një i vetëquajtur demokrat joliberal, lideri i Hungarisë është përplasur vazhdimisht me Brukselin për çështje të sundimit të ligjit, si liria e shtypit dhe migrimi.

Hungaria po bëhet gjithnjë e më e izoluar në BE dhe NATO – por Orban e di se asnjë nga institucionet nuk dëshiron ta përjashtojë atë. Ata duan një shfaqje të unitetit perëndimor për t’i shfaqur Rusisë.

Mandati i tij i ri në detyrë do të thotë se ai do të mbetet një gjemb i paparashikueshëm në këmbë.

Më shumë se 200 delegatë ndërkombëtarë vëzhguan zgjedhjet në Hungari, së bashku me mijëra vullnetarë nga i gjithë spektri politik.

Marki-Zay, lideri konservator i opozitës, pranoi humbjen vonë të dielën në mbrëmje.

“Nuk do ta fsheh trishtimin dhe zhgënjimin tim,” u tha ai mbështetësve, duke akuzuar Fidesz për drejtimin e një fushate “urrejtjeje dhe gënjeshtre”.

Ai pretendoi se opozita kishte bërë “çdo gjë të mundshme”, por se fushata kishte qenë “një luftë e pabarabartë” pasi politikanët anti-Fidesz u shfaqën shumë pak në mediat shtetërore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore