Lajme

Hughesit i bën “përshtypje të thellë” progresi i Kosovës: Shpresoj që një ditë të anëtarësohet në BE dhe NATO


Philip Hughes

Philip Hughes nga Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë (CAA), në një intervistë për “Zëri i Amerikës” të dielën, pas vizitës fakt-mbledhëse në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, tha se vendet e vogla të Ballkanit Perëndimor kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm, por të njëjtat vazhdojnë të përballen me sfida, veçanërisht nga ndërhyrjet politike të fqinjëve.

Hughes theksoi se shpreson që Kosova një ditë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian (BE) dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO), posaçërisht në dritën e realiteteve të reja gjeopolitike pas pushtimit rus të Ukrainës. Ai vlerësoi se konfliktetet në këtë rajon të rrethuar nga armiqësitë etike mund të rikthehen, prandaj Shtetet e Bashkuara (SHBA) duhet t’i kushtojnë vëmendje.

“Shpresoj që edhe Kosova një ditë të kalojë pragun dhe të anëtarësohet jo vetëm në BE, por në NATO për ta plotësuar praninë e aleancës në këtë pjesë të botës. SHBA-ve shpesh u duhet të përballen me çështje urgjente, dhe kjo shkakton vonesa në trajtimin e çështjeve të tjera të rëndësishme. […] Prandaj ky rajon duhet të ketë vëmendje të vazhdueshme dhe përparësi”, tha ai.

E në këtë sfond, ai nënvizoi t’i ketë lënë përshtypje edhe ndikimi që kanë Shqipëria dhe Serbia në politikën kosovare, ashtu sikurse Bullgaria në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, diplomati amerikan potencoi se, ashtu sikurse i është thënë gjatë vizitës së fundit në Shqipëri, shteti shqiptar e ka detyrim kushtetues të përkujdeset për mirëqenien e të gjithë shqiptarëve.

“Njëkohësisht, na bëri përshtypje ndikimi i madh i fqinjëve në politikat e këtyre tre shteteve – rolin e madh që Serbia luan në skenën politike të Kosovës, rolin e madh që Bullgaria luan në skenën politike të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria e cila, siç e kuptuam, ka detyrim kushtetues të përkujdeset për mirëqenien e shqiptarëve jashtë kufijve të saj”, shtoi Hughes.

Ndryshe, në raportin e CCA-së mbi zhvillimet e fundit politike në vend, thuhet se Serbia manipulon komunitetin serb në pjesën veriore të territorit kosovar në dritën e përpjekjeve të autoriteteve të Kosovës për njohje ndërkombëtare dhe anëtarësim në organizatat euro-atlantike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore