Lajme

“Presim përshpejtim të procedurave që trupat e pajetë të kthehen në Kosovë”


Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se nga komuna që e udhëheq në gjendje të rëndë janë dy persona, pas aksidentit të së dielës në Kroaci, ku mbetën të vdekur 10 udhëtarë nga Kosova.

“Sot i kam vizituar familjet e viktimave. I kemi edhe 2 persona të cilët janë në gjendje të rëndë atje dhe po presim me marrë informacione. Po shpresojmë që të gjithë të lënduarit nga të gjitha anët e Kosovës të kthehen pranë familjeve të veta”, tha Gjini.

“I kemi pasur dy ditë të vështira, humbjet janë të mëdha në njerëz aq më tepër kur pas një kohe të gjatë të mungesës të takimeve me familjarët e vet disa prej bashkatdhetarëve tanë e kanë gjetur vdekjen. Mirëpo, ajo çka po provojmë të bëjmë tash është që të jemi sa më afër familjeve dhe të shpresojmë që ata që janë lënduar të kthehen sa më parë pranë familjeve të veta”, shtoi ai për KP.

Ai shpreh mirënjohje për kujdesin dhe ndihmën që autoritet kroate kanë dhënë për të lënduarit nga aksidenti në këtë vend.

“Lajm i mirë është që autoritetet kroate dhe shërbimi shëndetësor i Kroacisë janë kujdesur jashtëzakonisht mirë për bashkatdhetarët tanë, janë në duar të mira. Tani do të shohim se si do të rrjedhin gjërat, sot dhe nesër, në këto ditë që i kemi përpara”.

Gjini theksoi është i vedishëm që duhen procedura për kthimin e kufomave, “por është tepër me rëndësi në aspektin humanitar që trupat e pajetë të kthehen sa më parë në Kosovë në mënyrë që familjet e viktimave të mos jetojnë edhe më gjatë në këtë lloj ankthi edhe pa i varrosur viktimat”.

Ndërkaq deri më tani, pesë nga viktimat e aksidentit të autobusit nga Kosova në Kroaci janë qytetarë nga komuna e Gjakovës.

Në mëngjesin e të dielës si pasojë e një aksidenti të rëndë të një autobusi me udhëtarë nga Gjermania për në Kosovë, në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën 10 persona dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Ndryshe, në të gjitha institucionet, flamuri i Republikës së Kosovës është ulur në gjysmë shtizë në nderim të 10 personave të vdekur dhe dhjetëra të tjerëve të lënduar në aksidentin tragjik në Kroaci.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore