Kosova

Gjukanoviç mohon lajmet se ka arritur marrëveshje me liderët e BE-së për largimin e tij nga politika


Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka arritur marrëveshje me liderët kryesorë të BE-së, gjegjësisht u ka premtuar se do të tërhiqet nga jeta politike nëse është pengesë për integrimin e Malit të Zi në BE.

“Gjukanoviç bëri të ditur se nëse është pengesë për integrimin më të shpejtë evropian të Malit të Zi, ai është i gatshëm të bëjë një hap prapa dhe të largohet nga pushteti, por kërkoi që të lejohet të largohet nga skena politike me dinjitet dhe në mënyrën e tij”, thotë një burim brenda BE-së për mediumin malazez Vijesti.

“Gjukanoviç mori mbështetje për një akt të tillë dhe nëse e mban fjalën, do të jetë një zgjidhje krejtësisht e drejtë për BE-në”.

Sipas burimeve të Vijest-it, Gjukanoviç kohëve të fundit ka qenë më konstruktiv se kurrë në rrugën evropiane të Malit të Zi.

“Qeveria e re në Podgoricë tashmë ka arritur rezultate mjaft inkurajuese në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sigurisht, këto janë sinjale fillestare, por janë shumë të rëndësishme sepse Podgorica më në fund ka filluar të luftojë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nëse ky trend vazhdon dhe Mali i Zi përmbush atë që ishte planifikuar deri në shtator, ne mund të mbyllim disa kapituj tashmë në dhjetor. Pas një kohe të gjatë, brenda BE-së ka një dëshirë dhe vullnet politik për të përshpejtuar procesin e afrimit të Malit të Zi drejt anëtarësimit në BE”.

Por, Gjukanoviç e ka mohuar se do të largohet nga politika.

“Në BE është arritur një marrëveshje parimore për të ndarë rrugën e Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nga ajo që do të ndjekin Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, por edhe Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova”

Po ashtu thuhet se Podgorica, Beogradi, Shkupi dhe Tirana kanë perspektivën për t’u bërë anëtarë të plotë të BE-së, ndërsa Kievi, Kishinau, Tblisi, Sarajeva dhe Prishtina mund të jenë pjesë e komunitetit politik evropian të quajtur në bisedë.

BE: Ballkani i Hapur të mos jetë i pjesshëm

Burimet e mediumit malazez në vendet dhe institucionet evropiane nënvizojnë se Ballkani i Hapur është një histori dhe ide amerikane.

BE-ja ka një qëndrim parimor se qëndron pas çdo iniciative që është gjithëpërfshirëse dhe e bazuar në vlerat evropiane, por Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë i mungojnë tre fqinjë.

“Nëse Ballkani i Hapur përfshin Malin e Zi, Kosovën dhe BeH, do të ketë mbështetjen absolute të BE-së. Ne nuk kemi asnjë problem me Ballkanin e Hapur si ide, shqetësimi ynë është që ai të mos jetë i pjesshëm dhe që në pak vite të mos kontribuojë në ndarje dhe rivalitete të reja në rajon, që do të çonin në destabilizimin. BE po frenohet sepse dëshiron të shohë nëse tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të hyjnë gjithashtu në Ballkanin e Hapur. Qëllimi ynë është të parandalojmë çdo burim jostabiliteti”.

“Një Ballkan i Hapur duhet të jetë gjithëpërfshirës në mënyrë që të funksionojë dhe të ketë kuptim dhe t’i shërbejë një qëllimi. Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur janë plotësues, nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin dhe mund të sjellin përfitime për të gjithë me kusht që të respektohen parimet dhe vlerat evropiane, duke filluar nga gjithëpërfshirja”, theksoi burimi i Vijesti në Bruksel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore