Lajme

Hovenier: SHBA-ja dhe Kosova kanë lidhje të forta


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), në Kosovë Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se “lidhjet e forta” dhe “përkushtimi i SHBA-ve ndaj Kosovës”, ekziston që nga presidentet Bill Clinton, George Bush, Barack Obama, Joe Biden dhe Donald Trump.

Hovenier u deklarua në ceremoninë e organizuar pranë shtatores së ish-presidentit Clinton, në Prishtinë, ku edhe u shënua Dita e Presidentit Amerikan.

“Jam krenar që bashkohem me homologët e mi anembanë botës dhe i bëj homazhe detyrës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe të njoh lidhjen e fortë të SHBA-së me popullin e Kosovës siç mishërohet kaq qartë nga kjo statujë e presidentit Clinton”, theksoi Hovenier.

Më 15 shkurt, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, e kishte përgënjeshtruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se çështja me dinarin nuk e afekton raportin në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Hovenier tha se kjo nuk është aspak e vërtetë dhe se raporti tashmë është afektuar nga kjo situatë, meqë Kosova nuk është treguar partnere me Amerikën.

“Unë jam i shqetësuar që ka intervista që sugjerojnë që partneritet i SHBA-ve me Kosovën nuk është afektuar dhe nuk mund të afektohet nga kjo situatë. Duhet të jem i qartë, kjo nuk është aspak e vërtetë, nuk është ky rasti. Kjo situatë veçse ka afektuar kualitetin e partneriteti tonë”, tha Hovenier duke iu referuar deklarimit të Kurtit.

Ndërsa më 16 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sa i përket raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka thënë se vazhdojnë të jenë të mira, por kjo sipas tij s’do të thotë se duhet të pajtohen çdo herë e për çdo gjë.

“Si kryeministër i Kosovës kam folur që raportet tona, bashkëpunimi jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është shumë i mirë tash me jemi partner, aleatë, miq, kjo nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdoherë në çdo vend për gjithçka”.

Ai ka potencuar se Qeveria është e detyruar ta respektojë rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila e ndaloi përdorimin e dinarit serb ndërsa shtoi një periudhë tranzitore 3 mujore me arsyetimin e informimit të serbëve në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore