Lajme

Hovenier: Ia kujtova Rakiç-it se Radoiçiç është në listën e zezë amerikane


Jeffrey Hovenier, Goran Rakiç dhe Milan Radojiçiç

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pas takimit që ka pasur me kryetarin e Listë Serbe, Goran Rakiç, në një konferencë për media ka dhënë detaje të hollësishme se për çka kanë diskutuar këta të dy.

Hovenier mes tjerash ia ka kujtuar ministrit për Komunitete dhe Kthim, se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiç, është në listën e zezë të sanksioneve të Thesarit Amerikan të Shtetit.

Për diplomatin amerikani, Radojiçiç është i lidhur ngushtë me grupet kriminale ndërkombëtare.

“Në këtë takim, ia kujtova [Goran Rakiqit] një çështje specifike, por jo në kontekstin e deklaratës së fundit, por për t’i kujtuar njerëzve se Milan Radoiçiç është i vendosur në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së dhe sipas informacioneve tona, ai është i lidhur me grupet kriminale ndërkombëtare dhe korrupsionin dhe e informova për qëndrimin e SHBA-së në lidhje me këtë person”, tha Hovenier.

Më tej Hovenier kishte bërë të ditur se Rakiçit ia ka rikujtuar se masat e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet për targa dhe kartat e identitetit janë plotësisht në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit dhe legjitime për t’u bërë”.

Ambasadori amerikan, mes tjerash shpjegoi se kanë biseduar edhe për rëndësinë e një takimi në kuadër të dialogut mes Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë.

“Në mënyrë që të deeskalohen disa nga këto çështje”, tha Hovenier.

Nuk bëhet fjalë, tha ambasadori amerikan, “që ShBA të kërkojë që masat e reciprocitetit të rishikohen”.

“Këtë e thash edhe të dielën mbrëma”, u shpreh ai.

Barrikadat në Veri

Takimi i diplomatit amerikan me Rakiç vjen pas tensioneve të së dielës mbrëma, kur Qeveria e Kosovës tentoi të vendoset masa reciprociteti me Serbin sa u përket targave dhe hyrje/daljeve të shtetasve serbë në Kosovë.

Gjithsesi, qeveria e Kosovës hoqi dorë nga funksionalizimi i masave, meqë kjo u kërkua nga partnerët ndërkombëtarë dhe Kryeministri, Albin Kurti, pranoi që ta shtyjë vendimin për një muaj – deri me 1 shtator.

Në ndërkohë, pritet që të gjendet një zgjidhje në Bruksel.

Forca politike që përfaqëson serbët në Kosovë, Lista Serbe, kryetar i së cilës është Goran Rakiç, është rreshtuar me Beogradin dhe ka organizuar barrikadim të rrugëve në veri, si kundërpërgjigje dhe tregim i pakënaqësisë së tyre me masën e ekzekutivit kosovar.

Takimi Hovenier – Rakiçi vjen në këtë kontekst.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore