Lajme

Hovenier: A e keni ju idenë se çfarë do të thotë të flas ashtu siç foli James O’Brien?


James O’Brien

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është ndjerë i detyruar të potencoi rolin dhe peshën e deklaratave të ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, pas kritikave të forta kundrejt Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit, Albin Kurtit, për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës.

Jo pse krerët e institucioneve shtetërore kosovare nuk e kanë as idenë më të vogël se çfarë rëndësi politike e diplomatike ka O’Brien, por për faktin se deklaratat e tij me tone kritike që rrallë ndonjë diplomatë të rangut të tij ka guximin t’i artikulojë, janë shpërfillur deri në banalitet nga pushteti në Kosovë.

Ndonëse një gjë e tillë nuk i takon atij, Hovenier në një prononcim të jashtëzakonshëm për media – të cilat janë shpeshtuar kohët e fundit – ka vlerësuar se duhet të vë në pah rëndësinë e pozicionit të O’Brien dhe fjalës së tij të thënë, gjë që e konsideroi si “shumë të rrallë” në kontekstin e Kosovës,

“Dua t’ju kujtojë se sa e rëndësishme është puna që aktualisht po e bën O’Brien. O’Brien e bën punën që në një kohë e ka bërë ambasadori (Richard) Holbrook, në kohën e të cilit u arrit Marrëveshja e Dayton. O’Brien është shefi im është edhe shefi i (Gabriel) Escobar”, potencoi Hovenier.

“Është e rrallë që O’Brien, të japë intervistë me tone e kontekst të tillë siç e bëri, është shumë e rrallë. Reflekton për një problem. Shpresa ime është të ndalet kjo. Nuk duam të jemi në këto rrethana. Duam të jemi në rrethana tjera”, pohoi ai.

Hovenier: Jemi të frustruar me Kurtin, raportet tona veçse janë afektuar – kush thotë ndryshe, thjesht nuk po thotë të vërtetën

Vetëm pak kohë pasi Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, vlerësoi Kosovën –  sipas Albin Kurtit –  për progresin ekonomik dhe demokratik, kjo konsideratë tashmë është përmbysur, pas rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës dhe mos-gatishmërisë së Qeverisë së Kosovës për të vepruar sipas udhëzimeve të komunitetit ndërkombëtar për këtë çështje.

Dëshmi për këtë është intervista e fundit e dorës së djathtë të Madeleine Albright dhënë për Zërin e Amerikës, ku si asnjëherë më parë artikuloi kritika të rënda në drejtim të kryeministrit të Kosovës, duke cilësuar Kurtin si të “paaftë” në qeverisje.

Me një gjuhë shumë të drejtpërdrejtë që jo shumë diplomatë kanë guximin ta përdorin, O’Brien tregoi se Kurti u kishte dhënë premtime ndryshe për çështjen e dinarit, por më pastaj ka vepruar ndryshe në terren duke vënë në pikëpyetje kështu edhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I pyetur se a ka biseduar me Kurtin për shqetësimet e SHBA-ve lidhur me vendimin e BQK-së për ndalimin e dinarit – valutë shtetërore e Serbisë – në territorin e Kosovës, numri një i amerikanëve për Evropën deklaroi se “kemi pasur disa biseda në periudhën para se të shpallej vendimi dhe një shkëmbim të shkurtë më pas”.

Në pyetjen se si Kurti e ka pritur vlerësimin e tij lidhur me këtë çështje, top-diplomati amerikan ka potencuar se ai “ka kuptuar shqetësimet” dhe se ka premtuar “se do të punonte për to”.

Por, çudia në sytë e tij ka ndodhur më pas kur Kurti krye në vete – ndryshe nga çfarë ka premtuar – ka proceduar me vendimin.

“Qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere”, vlerësoi ai.

Pjesa më problematike e kësaj interviste ishte pyetja pasuese e gazetarit dhe deklarata shqetësuese e me një mesazh të rëndë e O’Brien, i cili, si kurrë më parë, vuri në pikëpyetje marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien kur u pyet se a planifikojnë SHBA-të të veprojnë njëjtë si Bashkimi Evropian duke vendosur masa Kosovës, nëse ekzekutivi këmbëngul në qëndrimin e saj.

Më tej duke potencuar se vendimi i BQK-së ka zënë në befasi komunitetin serb në Kosovë, O’Brien ka vlerësuar se “kjo nuk është formë e qeverisjes efektive” dhe se një gjë e tillë tregon “paaftësinë e Qeverisë së Kosovës”.

Të jesh pjesë e Evropës, sipas tij, nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim.

“Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin”.

Prandaj sipas tij, Kosova duhet të tërhiqet nga vendimi për dinarin, meqë në vlerësimin e tij shtyrja e vendimit për tre muaj nuk është e mjaftueshme.

“Pra jo, duhet ta ndërpresin menjëherë këtë dhe pastaj të punojmë drejt zgjidhjes së problemit konkret, që ata duan të zgjidhin, ashtu siç veprojnë shtetet moderne evropiane”.

BQK-së, sipas tij, do të duhej të ofronte alternativë serbëve në Kosovë, para se të hynte në fuqi rregullorja.

“Njerëzit duhet ta dinë se si do t’i paguajnë faturat. Kur lexoj deklaratën e Bankës Qendrore, aty nuk thotë se do ta lejohet përdorimi i dinarit. Thotë se do të ofrohet një alternativë. Kjo duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi dhe sinqerisht me Bashkimin Evropian dhe ne. Pra jo, duhet ta ndërpresin menjëherë këtë dhe pastaj të punojmë drejt zgjidhjes së problemit konkret, që ata duan të zgjidhin, ashtu siç veprojnë shtetet moderne evropiane”.

I pyetur se a lidhet çështja e dinarit me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, O’Brien ka potencuar se ky mekanizëm “do të zgjidhte këtë problem”.

“Asociacioni do ta qartësonte çështjen e parave që dërgohen dhe qëllimet për të cilat do të përdoreshin. Ka mënyra tjera për ta siguruar këtë qartësi, përfshirë përmes dialogut, përmes konsultimeve joformale, ashtu si shtetet moderne u japin përgjigje këtyre çështjeve. Jo duke shpallur vendime në mes të natës pasi partnerët tuaj më të afërt ju thonë se kjo është ide e keqe dhe qeverisje e dobët”.

Sinjalet e para të një plasaritje të thellë në marrëdhëniet në mes të komuniteti ndërkombëtar (sidomos të SHBA-ve) me Kosovën u dha qysh në Seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e thirrur nga Serbia dhe e mbështetur nga SHBA-të, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilët përkundër drejtës së Vetos për të ndaluar mbajtjen e një seance të tillë, lejuan që mbledhja të ndodh.

Kritika si asnjëherë tjetër të Amerikës për Kryeministrin e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore