Film

‘House of the Dragon’ rikthen kujtimet e ‘Game of Thrones’…ato pozitive


Ndjekësit e spektaklit hit televiziv të dekadës së kaluar, “Game of Thrones”, mbetën ndoshta të zhgënjyer nga mënyra se si gjithçka rrodhi në sezonin e fundit, por kurrë nuk e kanë fshehur nostalgjinë e një seriali të mirë dhe të mirëndërtuar në ekranin e vogël.

Instalacioni i ri i ngjarjeve në Westeros, ‘House of the Dragon’, bën pikërisht këtë – konkretizon në realitet ëndrrën e dashamirësve të historive nga George R.R. Martin dhe risjell në shtëpitë e të gjithëve lavdinë e ‘Game of Thrones’.

Duhet pranuar se është e vështirë që saga e lavdishme e zjarrit dhe akullit të thyejnë tabutë, siç bëri në vitet 2010.

Konteksti ka ndryshuar, industria po ashtu, për të mos folur për televizionin…

‘House of the Dragon’ vijon t’i mbetet besnik formatit të publikimit të përjavshëm të serive, duke bërë përpjekjen e radhës për t’i thënë gjigandit Netflix se “e vjetra, është e reja e re”.

Fisi Targaryen nuk është dukur kurrë më mirë se kaq në ekran. Ndoshta, edhe për faktin se në “Game of Thrones”, vetëm një Targaryen, Daenerys Targaryen (plus Jon Snow në sezonin e fundit), ishin pjesë e spektaklit.

Ndërsa, në “House of the Dragon”, gjithçka lidhet vetëm me ta dhe me dinastinë fuqiplotë e dragonjtë e tyre.

A ka nuditet? Po! Intrigë? Po. Të njëjtën madhështi si “Game of Thrones”? Ende jo!

Premisat megjithatë janë të mira.

Kritikë të shumtë kanë parë deri në episodin e gjashtë nga dhjetë që i gjithë sezoni përmban dhe të gjithë bien njëzëri dakord: Duhet durim për ta parë, por durimi shpërblehet në një “Game of Thrones fashion”.

Kaq dragonj në ekran nuk janë parë ndoshta kurrë në historinë e kinemasë dhe me të drejtë, pasi dimensioni i tyre është esencial për fisin Targaryen.

E në fund, pyetja që shtrohet është vetëm një: A do të ketë “House of the Dragon” fuqinë të mbledhë shikuesit përpara ekranit çdo të dielë, për të ngrënë thonjtë përpara ekranit, siç bënte paraleli i tij i dekadës së shkuar pa ndonjë lodhje të madhe?

Buxheti i shpenzuar për reklamimin është po aq i artë sa flokët e Targaryen-ëve, por gjasat janë të vogla, me ndryshimet në rregullat e lojës që Netflix dhe kompanitë e tjera të televizionit me pagesë kanë sjellë…por asgjë nuk është e pamundur.

Fundja, HBO, e ka treguar gjithnjë se është në “Fronin e Hekurt” të serialeve televizive dhe rikthimin e modelit të shkuar në ekranin e vogël, e ka marrë më shumë se seriozisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore