Kosova

Hoti: Vitin 2022 do ta mbyllim me regres në ekonomi, punësim dhe në të ardhurat e përgjithshme


Avdullah Hoti

“Zbatimi i projekteve kapitale gjatë vitit 2022 do të jetë shumë i ulët”.

Kështu të paktën thotë ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook ka kritikuar Qeverinë aktuale për mos-rishikimin e buxhetit për vitin 2022, i cili sipas tij do të ndikojnë negativisht në shpenzimet kapitale dhe rrjedhimisht në ekonomi, punësim e të ardhura.

“Mazhoranca qeverisëse e prezantoi si arritje numrin e ligjeve të miratuara në Kuvend. Por nuk e përmendi faktin se njëri ndër ligjet më të rëndësishme, që është rishikimi i buxhetit për vitin 2022, nuk është dorëzuar në Kuvend nga Qeveria”, shkruan Hoti.

Pra sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të ishte e domosdoshme që gjatë sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës të rishikohet buxheti, pasi që shpenzimet kapitale në gjashtë muajt e parë të vitit janë në nivelin më të ulët historik – me vetëm 11 për qind realizim.

“Me këtë dinamikë shumë të ulët të realizimit të buxhetit në gjashtë muajt e parë, dhe në mungesë të rishikimit të buxhetit, është e sigurt se zbatimi i projekteve kapitale sivjet do të jetë shumë i ulët. Kjo do të nënkuptojë qindra miliona mungesë në qarkullimin ekonomik në vend, që do të ndikojë negativisht rritjen ekonomike, punësimin dhe të ardhurat e përgjithshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore