Lajme

Hoti për dënimin ndaj personit që e kanosi: E pranova me kusht që të kontribuohet në organizatat bamirëse


Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, pas përfundimit të seancës ndaj personit që kanosi atë i cili është dënuar me gjobë prej 2 mijë euro ka thënë se në vitet e fundit gjuha e urrejtjes është shtuar.

“Gjuha e urrejtjes që po përdoret tash e shumë vite nëpër rrjete sociale dhe gjithandej është shqetësuese. Partia që tani është në pushtet për vite me radhë e ka ushqyer këtë gjuhë përçarëse, fyese, denigruese dhe kërcënuese”.

Hoti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se marrëveshjen për dënimin e ka shqiptuar ndaj tij e ka pranuar pasi që do të kontribuohet në njërën nga organizatat bamirëse në vend.

“Ndihem i obliguar për të informuar të gjithë opinionin publik për rastin që sot është mbajtur seanca gjyqësore lidhur me kanosjen që më është bërë muaj më parë. Sot, është mbajtur seanca lidhur me rastin në fjalë dhe gjykata vendosi për dënimin e të akuzuarit për këtë vepër”.

“Pranova marrëveshjen që ka bërë prokuroria dhe avokati i të pandehurit me kushtin që i njëjti të kontribuoj në njërën nga organizatat bamirëse në vend”, ka shkruar Hoti.

Ai tutje ka sqaruar se kërcënimi që është bërë ndaj tij është bërë vetëm për shkak të qëndrimeve të tij politike.

“Kërcënimi i bërë nuk është personal por si zyrtar i shtetit për qëndrimet politike që kam si deputet dhe ish-Kryeministër. Prandaj, i bëj thirrje të gjithë atyre që bëhen pjesë e kësaj fushate linçuese të ndalojnë sepse do të përballen vetëm më ligjin, sepse qëndrimet për të vërtetën e bazuar në fakte dhe kauza për të mirën e vendit dhe popullit, nuk do të mund ta ndalin me kërcënime dhe me asgjë tjetër”.

“Republika e Kosovës është e përhershme dhe do ta mbrojmë nga çdo kërcënim për ta sulmuar atë”.

Të martën, pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 2 mijë euro gjobë të akuzuarin R.S, mërgimtari me banim në Gjermani, i akuzuar për kanosjen e deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore