Lajme

Hoti: Me këtë Qeveri nuk rriten kapacitetet e FSK-së sipas standardeve të NATO-s


Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, konsideron se me Qeverinë e Kosovës nuk do të rriten kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të rregullt sipas standardeve të NATO-s.

Hoti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka paraqitur faktet të cilat thotë së nuk e mundësojnë ngritjen e kapaciteteve të FSK-së.

“Shpenzimet për mbrojtje si përqindje e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) janë dukshëm nën nivelin e kërkuar nga NATO-ja prej 2%”.

“Këto shpenzimet në vitin 2022 ishin 1.53%, ndërkaq më 2023 u ulën në 1.25%”.

Ai tutje ka sqaruar se sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2024-2026, të cilën Qeveria e ka dorëzuar në Kuvend, trendi i shpenzimeve për mbrojtje si përqindje e PBB-së është rënës.

“1.43% më 2024, 1.35% më 2025, 1.27% më 2026”.

“Për më tepër, në kapacitetet e FSK-së do të ndikojë edhe përjashtimi nga ushtrimi më i madh i NATO-s, për të cilin Presidentja, Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes nuk morën asnjë përgjegjësi”, ka thënë ai.

Hoti shtoi se, “tani edhe financimi nuk po shkon në drejtim të përmbushjes së standardit të kërkuar nga NATO-ja prej 2%”.

Ndër të tjera ka pohuar se Qeveria aktuale nuk është për këto punë.

“Këta nuk janë për këtë punë. Këta nuk kanë rezon shtetëror. Këta janë të fokusuar vetëm në mashtrimin e opinionit. Ja fakti: e nxjerrin FSK-në në marshim në Mitrovicë, e në anën tjetër shpenzimet për mbrojtje i zvogëlojnë”.

Në muajin mars, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, përmes një konference për media të enjten, kishin bërë publike dy projekte në Babaj të Bokës dhe në Aeroportin e Gjakovës, me të cilat synohej rritja e kapaciteteve trajnuese të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Këto 2 projekte për rritjen e kapaciteteve të FSK-së i kishin kushtuar Qeverisë 9.4 milionë euro

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore