Kosova

Hoti, Kurtit: Thirrja për investitorë dhe paralajmërimi për konflikt nuk shkojnë bashkë


Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti ka kritikuar qasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Davos të Zvicrës, ku është duke marr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror.

Përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, Hoti ka thënë se thirrjet e Kurtit për investitorë dhe paralajmërimet për konflikt “nuk shkojnë bashkë”.

“Shkon në Davos dhe e organizon një minikonferencë për investime, për të cilën e paguan një kompani konsulente 58,341.19 franga zvicerane pa asnjë procedurë prokurimi. Por, në dhomën tjetër, kërkon nja 70 trupa më shumë të KFOR-it nga Finlanda, edhe pse KFOR-i e rrit dhe e zvogëlon numrin e ushtarëve brenda natës sipas nevojës që ka”, ka shkruar ai.

Ish kryeministri, ka kërkuar përgjigje në disa pyetje nga kryeministri.

“Çfarë mesazhe janë këto dhe çfarë promovimi i investimeve është ky?! Kush po e këshillon kështu?! Kah na shpie kjo qasje në fushën e politikës dhe të ekonomisë?!”.

Gjatë vizitës së tij në Zvicër, kryeministri ka thënë se Kosovës nuk i duhen diplomatë, i duhen floktarë.

Kur u pyet nga gazetari Stephan Israel se a nuk është problem largimi i të rinjve nga vendi për të gjetur punë në shtete të tjera, kryeministri foli për dëshirën e tij që në Kosovë të shohë më shumë floktarë e më pak diplomatë.

“Ne kemi shumë juristë dhe politologë që duan të bëhen diplomatë. Por kemi vetëm 30 ambasada”, tha Kurti.

“Si mund t’i akomodojmë të gjithë këta diplomatë? Ajo që i mungon tregut tonë janë, për shembull, kuzhinierë të trajnuar, muratorë apo floktarë”, shtoi ai.

Për këtë arsye, kryeministri pohoi se “po punojmë për të zbatuar një sistem dual të arsimit si në Zvicër apo Gjermani”.

Më 16 janar,  kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Zvicër ku është duke marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Vizita e fundit e kryeministri ka qenë në Austri më 12 janar ku është takuar me kancelarin austriak Karl Nehamme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore