Kosova

Hoti, Kurtit: Ta dorëzova mandatin me rritje pozitive ekonomike, trendi tashmë është në rënie


Avdullah Hoti dhe Albin Kurti

Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ka qenë qeverisja e tij ajo që ka trasuar rrugën Qeverisë së Albin Kurtit për një rritje pozitive ekonomike.

Megjithatë sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, trendi i rritjes ekonomikë është në rëni që kur Qeveria e Albin Kurti është në krye.

“Sigurisht shkaktarë janë edhe faktorët e jashtëm, por në politika ekonomike dhe fiskale nuk është ndërmarrë asnjë veprim domethënës”, ka shkruar Hoti në rrjetin e tij social në Facebook.

Qeveria momentalisht, sipas Hotit është e mbyllur plotësisht ndaj bizneseve.

“Nuk është mbajtur asnjë mbledhje e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik për të diskutuar shqetësimet e bizneseve dhe për të zhvilluar politikat e reja ekonomike”, ka shtuar ai.

Ndryshe Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2022 është rreth 3.7 për qind.

Ndërsa për Banën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2022 pritet të jetë 4 për qind.

“Produkti i Brendshëm Bruto i Kosovës pritet të rritet me 4 për qind në vitin 2022, duke mos e ndryshuar kështu parashikimin e muajit maj të këtij viti”.

Rritja ekonomike e Kosovës, sipas Bankës Evropiane, do të ngadalësohet në vitin 2023.

“3.7 për qind parashihet të jetë rritja ekonomike e Kosovës në vitin 2023” shkruhet në raportin e edicionit të shtatorit të BERZH-it për Perspektivat Ekonomike Rajonale.

Ndonëse Qeveria e Kosovës në çdo konferencë e intervistë amplifikonte faktin e një rritjeje ekonomike dyshifrore në vend si dhe parashikonte se gjatë këtij viti rritja ekonomike do të jetë 7.8 për qind, projeksionet e dala nga Fondi Monetar Ndërkombëtare me të dhënat e përditësuara për muajin prill 2022, e thonë të kundërtën.

Projeksioni i FMN-së, në muajin prill të këtij viti parashikonte një rritje ekonomike prej 2.8 për qind.

E lidhur me këtë njohësit e fushës së ekonomisë, patën thënë Albanian Post’it, se një projeksion i tillë ka qenë i prishtëm pasi që rritja ekonomike e Kosovës është i bazuar vetëm në dy indikatorë ekonomikë – rritja e konsumit dhe e importit, e të cilat rrjedhimisht nuk kontribuojnë në një ngritje të qëndrueshme.

Ekonomia e Kosovës u rrit me 10.5 për qind në vitin 2021, pasi viti 2020 ishte vit i izolimit për shkak të pandemisë COVID-19.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore