Kosova

Hoti dhe Selmanaj flasin me Esocobarin për sfidat që po kalon Kosova në procesin e dialogut


Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, deputeti Driton Selmanaj, dhe përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti së bashku me deputetin Driton Selmanaj, të martën janë takuar me përfaqësuesin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar me të cilin kanë diskutuar për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Lajmin e ka bërë të ditur Hoti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Takimin e karakterizuan biseda të hapura dhe të sinqerta me theks të veçantë për sfidat që po kalon Republika e Kosovës  në procesin e dialogut me Serbinë. Bashkëpunimi shumë i ngushtë me SHBA-të, është rruga e vetme që garanton epilog të mirë të secilit proces për Kosovën”.

Hoti, ka vlerësuar rolin e ShBA-së dhe miqësinë që kanë me Kosovën.

“Kosova dhe shqiptarët janë të bekuar me miqësinë që kemi me SHBA-të”.

Në takimet e fundit që kanë pasur liderët e Kosovës dhe Serbisë, me liderët e Bashkimit Evropian, Francës, Gjermanisë e Italisë në Bruksel, me 26 tetor, ata, sipas diplomatëve evropianë, “kanë shprehur gatishmëri që të pranojnë propozimin si bazë të mirë“.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka shprehur gatishmëri të ecë përpara me këtë propozim, si dhe me zbatim të Marrëveshjes për normalizim.

Ai ka thënë se ka dashur ta nënshkruajë dokumentin, pasi “vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe garanton implementim“, por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka refuzuar ta nënshkruajë atë.

Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore