Shqipëria

Homeland Justice thotë se ka hakeruar 100 terabyte informacione nga INSTAT


Sipas grupimit të hakerëve iranianë Homeland Justice, përmes një sulmi kibernetik të ndërmarrë ndaj Institutit të Statistikave më 1 shkurt, janë arritur të merren 100 terabyte të dhëna.

Kështu ka njoftuar vetë grupimi përmes platformës Telegram, ku shtohet se të dhënat janë kopjuar dhe janë hequr nga serverët e INSTAT.

Në një reagim të menjëhershëm pas sulmit ndërkaq, Instituti i Statistikave në Shqipëri ka theksuar se të dhënat e Censit, nuk janë prekur nga kjo goditje, por sisteme të tjera po.

Sipas njoftimit zyrtar, INSTAT ka reaguar me shpejtësi dhe profesionalizëm për të parandaluar dhe minimizuar dëmet e mundshme nga sulmi. INSTAT ka ndërprerë menjëherë lidhjet e internetit dhe ka aktivizuar protokollet e emergjencës për të siguruar mbrojtjen e të dhënave dhe informacioneve statistikore.

INSTAT thotë se të dhënat e Censit nuk janë prekur nga sulmi i Homeland Justice

Aktualisht, nga ekzaminimet e para të kryer nga ekspertët e Teknologjisë së Informacionit, disa nga sistemet e INSTAT janë ndikuar nga sulmi.

Përgjigja e menjëhershme e INSTAT përfshin ndihmën e ekspertëve kombëtarë të sigurisë kibernetike, të cilët po bashkojnë burimet e tyre për të kryer një hetim të hollësishëm mbi këtë sulm.

Objektivat kryesore përfshijnë përcaktimin e shkaqeve themelore të sulmit, vlerësimin e shtrirjes së dëmit dhe hartimin e zgjidhjeve efektive për të zbutur rreziqet e ardhshme.

INSTAT ka siguruar publikun se të dhënat e Censit nuk janë objekt i këtij sulmi pasi janë të ruajtura në sisteme të tjera të dedikuara vetëm për këtë qëllim.

INSTAT po bashkëpunon ngushtë po ashtu me autoritetet kompetente për të hetuar dhe identifikuar burimin dhe motivet e sulmit kibernetik dhe gjithashtu për të rikthyer funksionimin normal të sistemeve të saj informatike dhe për të forcuar masat e sigurisë kibernetike.

INSTAT falënderon publikun për mirëkuptimin dhe mbështetjen e treguar në këtë situatë të jashtëzakonshme. INSTAT vlerëson lartë besimin e qytetarëve dhe partnerëve në punën e saj dhe angazhohet të vazhdojë të ofrojë statistika zyrtare të besueshme, të sakta dhe të pavarura.

Homeland Justice godet INSTAT, faqja jashtë funksioni

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore