Lajme

Historiania ruse Irina Scherbakowa: Putin? Ne vazhdojmë ta nënvlerësojmë atë – Nuk e përjashtoj më bombën atomike


“Pas gjithë kësaj kohe ne ende e nënvlerësojmë Putinin, ka diçka në logjikën e tij që na shpëton. Por, në fund të fundit, kush prej nesh do të kishte besuar ndonjëherë në këtë luftë?”

Ashtu si në vitet 1920 një shekull më parë, Berlini është qyteti i refugjatëve rusë.

Në atë kohë ata quheshin Vladimir Nabokov ose Marina Tsvetaeva – rusët nga Charlottenburg që ikën nga Revolucioni i Tetorit, të cilët lanë një kujtim të pashlyeshëm në kryeqytet.

Sot ka mijëra, si atëherë, një brez të kulturuar, të lirë dhe të shpërndarë: është Rusia ajo që me Gorbaçovin besonte se mund të bëhej Evropë.

Irina Scherbakowa është një prej tyre, në vitin 2022 ajo fitoi Çmimin Nobel për Paqe me Memorial, organizata më e rëndësishme ruse për të drejtat e njeriut. Historiane dhe shkrimtare, ajo është anëtarja më e njohur së bashku me Oleg Orlov.

Që nga vitet 1990, Memorial ka zbuluar kujtimin e stalinizmit, duke mbledhur emrat e të paktën 3.5 milionë viktimave të gulagëve dhe terrorit.

Një leksikon familjar, historia e heshtur dhe e varrosur e Rusisë – përpara se Putini t’i mbyllte ato në dhjetor 2021, këtë herë përfundimisht.

“Kemi shpëtuar sa mundëm”, shpjegon “dhe tani kemi një rrjet në 17 vende jashtë Rusisë”.

Takimi është në një kafene në Kollwitzplatz, rrugët e gjera të mbuluara me pemë ku rinia takohet për mëngjesin e së dielës.

Merr të hajë një sallatë frutash me kos, por më pas pranon të ndajë tortën me çokollatë. Duket si një nga ata njerëz që arrijnë të mbijetojnë me pak.

Ajo prezantohet ashtu siç shfaqet në foto: flokë me balluke të zeza, rroba të zeza dhe një gjerdan, kësaj here i kuq, për të zbutur të gjithën. Në moshën 75-vjeçare është një pamje praktike, e dallueshme, magnetike në mënyrën e vet.

Sapo ka fituar çmimin Hemingway në Itali. Hemingway, tregon ajo, ishte shkrimtari i parë amerikan që u lexua në BRSS.

“Babai im dhe unë, një kritik letrar që ka luftuar në Ukrainë dhe mbeti invalid lufte përgjithmonë”.

Familja e saj, aq e madhe sa “italianët mund ta kuptojnë dhe gjermanët më pak”, është shpërndarë në të katër anët.

“Ne kemi origjinë hebreje, edhe nëse kemi humbur çdo kontakt me fenë, madje edhe gjuhën, në fillim të shekullit të njëzetë”.

Por kur iu desh të largoheshin nga Rusia “dhe unë kurrë nuk doja ta bëja këtë” Izraeli u bë një strehë.

Ajo dhe bashkëshorti i saj, një ish-fizikan bërthamor, morën pasaportat e tyre brenda një jave.

“Pastaj tmerri i paimagjinueshëm mbërriti edhe atje”.

Ajo në Berlin, ku një vajzë jep mësim; vajzën e saj tjetër dhe nipërit e tjerë në New York.

“Është emigracioni”, thotë ajo.

Dhe ka pak nostalgji.

A keni folur ndonjëherë me Yulia Navalnaya? Ajo gjithashtu jeton në Berlin.

Ne e njohim njëra-tjetrën, sigurisht. Ajo dhe Aleksey Navalny erdhën disa herë në Memorial në Moskë. Kam respekt të thellë për guximin e tij. Navalny është një martir, një martir modern. Shpresuam që ai të bëhej Mandela ynë.

Megjithatë?

Le ta themi kështu: veprimtaria e Fondacionit Navalny, është e dobishme, e guximshme, e denjë, për mendimin tim, megjithatë, nuk është pa probleme.

Ndërkohë, këtu në Evropë duhet të kuptojmë se cilët janë miliona rusë që u larguan nga Rusia për shkak të luftës në Ukrainë: 80-90% janë të diplomuar, kanë rroga të mira, duan të paguajnë taksa. Por ata nuk munden. Evropa i mban në harresë në zonën e refugjatëve.

Në vend të kësaj çfarë duhet?

Nga pikëpamja politike është e gabuar. BE-ja duhet t’i ndihmojë, t’i përdorë politikisht.

Ata mund të shpjegojnë se kush është Putin. Në vend të kësaj, ata janë të burgosur në burokraci.

Me çfarë nuk jeni dakord për ekipin Navalny?

Ata vënë venë në epiqendër vetëm korrupsionin. Është e vërtetë që është një problem i madh. Megjithatë, si historiane, besoj se është një perspektivë shumë e ngushtë dhe e pjesshme.

Navalnianët po bëjnë një film me tre pjesë të quajtur Tradhtarët. Fillojnë nga vitet nëntëdhjetë, i fusin të gjithë në atë kosh.

Tani, është e vërtetë se ka pasur një sulm kolosal ndaj burimeve. Por në këtë mënyrë humbet një fakt vendimtar: që vitet 1990 ishin gjithashtu shpresë, një përpjekje e sinqertë për të ta bërë të funksionojë demokracia.

Pse dështoi Gorbaçovi? Historiani Vladislav Zubok, në një libër të vlerësuar dhe disi revizionist, Rënia, argumenton se duke çmontuar strukturat e shtetit, Gorbaçovi dënoi pa dashje BRSS.

Ah, Gorbaçov.

Mund të thuhet se ishte në mëdyshje, se kishte frikë, se kishte në kokë modelet e vjetra të partisë. Megjithatë, në një histori të bërë bardh e zi, besoj se humbasim së pari shumë të bardhën. Ai besonte vërtet në atë që tha, në “një shtëpi të përbashkët evropiane”.

Dhe ja ku ai donte ta çonte Rusinë.

Por nuk ia doli dot.

Jo. Por nuk kishte luftë perandorake. Disa konflikte të vogla, por ne nuk e pësuam fatin e Jugosllavisë.

Ne duhet t’u jemi mirënjohës atyre, në radhë të parë gjermanëve. Sepse nuk e dimë se sa do të kishte dalë nga kontrolli situata me dikë tjetër në vend të tij. Ai mbetet simboli i një Rusie që donte të ishte demokratike, dhe tani që ai ka vdekur, kjo njihet, të paktën nga ata që aspironin.

Edhe për Putinin, edhe pse heshti, ishte e qartë se ai nuk e mbështeste drejtimin në të cilin po e çonte vendin.

Ju shkruani se kishte shenja të qëllimeve të vërteta të Putinit që në fillim.

Një njeri me atë histori, me ata njohje, një njeri i KGB-së – me atë që do të thoshte në Rusi – nuk duhej të ishte bërë president. Në fakt, ai i mori menjëherë me vete njerëzit e tij nga Shën Petërburgut.

Është sikur një oficer i Gestapos të ishte bërë president në Gjermaninë e pasluftës?

Më keq. Sepse demokracia i ishte imponuar Gjermanisë së pasluftës.

Cilat shenja u shfaqën menjëherë?

Kohët e fundit kam rilexuar atë që kam shkruar në vitet nëntëdhjetë. Isha si Kasandra që thotë të vërtetën dhe askush nuk e dëgjon. Ne në Memorial ishim Kasandra kolektive. Rikthimi në epokën sovjetike erdhi shpejt: flamuri i kuq për ushtrinë; himni sovjetik; propagandë; rehabilitimi i Stalinit; kufizim progresiv i të folurit; luftë brutale në Çeçeni.

Sipas jush, a po i kthehet Rusia stalinizmit?

Jo, nuk do ta thosha këtë. Autoritarizmi i Putinit është postmodern, ai ka një formë të përzier si një kimerë: koka e luanit, trupi i një dhie, bishti i një gjarpri. Një autoritarizëm që po bëhet diktaturë.

Një diktaturë fashiste?

Nuk e di nëse ai është tashmë një fashist. Është ndryshe.

Dy tipare të mëdha e dallojnë Putinizmin nga stalinizmi: Stalini, dhe gjithashtu Musolini, madje edhe Hitleri që kishte inkorporuar disa ide socialiste, shikonin nga e ardhmja, ata donin të krijonin njeriun e ri. Putini shikon vetëm të kaluarën, por një histori që nuk ekziston dhe është fryt i shpikjes së tij.

Dhe tjetra?

Stalini kishte kuadro partiake, ai ndërtoi një makinë gjigante pushteti ku kushdo dinte të ngjitej në hierarki. Si dhe Hitleri.

Megjithatë, ai i Putinit është një sistem kriminal ku ka vetëm një parim: besnikërinë personale.

Është mafie: kjo është në zemër të fuqisë së tij.

Dhe në fakt tani ata po vendosin fëmijët e tyre atje: Patrushev, Khadirov, madje edhe vajza e Putinit është rishfaqur. Por është më e lehtë të shkatërrosh një sistem, me struktura, sesa një me mafie personale.

A mendoni se ai mund të përdorë bombën atomike?

Kërcënimi bërthamor nuk u ekspozua kurrë në vitet sovjetike. Krizat, si ajo e Kubës, ishin të fshehta, flitej publikisht për paqen. Tani njerëzit e Putinit thonë në TV se Varshava mund të digjet në 2 minuta. Padyshim që do të ishte një akt vetëvrasës. Por nuk e përjashtoj më njëqind për qind.

Ku është shpresa e Rusisë?

Nuk e pashë për shumë vite. Mundohem të bëj timen, sa më mirë që mundem. Jam pesimiste apo optimiste? Ju e dini se si është ajo shaka e vjetër: pesimisti thotë “nuk ka qenë kurrë kaq keq”, optimisti përgjigjet “mund të jetë më keq”.

Kush është Irina Lazarevna Scherbakowa

Irina Lazarevna Scherbakowa, e lindur në Moskë në vitin 1949, është 75 vjeç.

Historiane dhe shkrimtare, ajo është studiuese e historisë moderne të vendit të saj. E lindur në një familje hebrenjsh komunistë, në universitet ajo studioi gjermanisht krahas historisë dhe mori doktoraturën në vitin 1972.

Më pas filloi të punonte si përkthyese e veprave të letërsisë artistike.

Gjatë viteve 1970 filloi të intervistonte disa dëshmitarë të stalinizmit dhe që nga viti 1991 kishte akses në arkivat e KGB-së, shërbimi i spiunazhit sovjetik. Më pas ajo intervistoi disa të mbijetuar gulag.

Në vitin 1988 ka qenë një nga anëtarët themelues të shoqatës Memorial, organizata më e rëndësishme për denoncimin e krimeve të regjimit sovjetik.

Në vitin 2022 mori çmimin Nobel për Paqe me anëtarët e tjerë. Në fund të vitit 2021, Gjykata e Lartë Ruse urdhëroi Memorial të ndërpresë funksionimin e tij.

Marrë nga “Corriere Della Sera”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore