Kosova

Hill: Duam ta ndihmojmë Serbinë ushtarakisht, t’i realizojë qëllimet e saj


Christopher Hill dhe Aleksander Vucic

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka deklaruar se ShBA-të duan ta ndihmojnë Serbinë ushtarakisht në realizimin e qëllimeve të saja.

Këto deklarime Hill i ka bërë në një rubrikë me pyetje-përgjigje në llogarinë e ambasadës amerikane në Twitter, ku pranon pyetje nga qytetarët serbë dhe më pas përgjigjet përmes videos.

“Sa i përket asistencës ushtarake, ne duam ta ndihmojmë Serbinë, duam ta ndihmojmë që të realizojë qëllimet e veta dhe në fund të ditës, do të donim të shohim që nëse Serbia dëshiron të bëjë diçka në lidhje me raportet e sigurisë të jetë e gatshme ta bëjë”, thotë Hill.

Ai shton se “kemi shumë për të bërë”, gjithsesi pohon se “mendoj që edhe deri tani ia kemi dalë mirë”.

Hill ka qenë shumë aktiv kohëve të fundit me deklarime publike.

I fundit ishte ai kur lëvdoi Serbinë në dialog me Kosovën dhe për takimin e fundit në Bruksel tha se “pala serbe u përgatit shumë”, duke shtuar se “qëllimi i tyre ishte përparimi në dialog”.

Gjithashtu, ka folur edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin tha se ka ardhur koha që të shtrohet në tavolinë dhe të gjendet një modalitet për ta themeluar.

Ai sugjeroi të analizohen edhe disa variante të asociacioneve të tilla që gjenden në pjesë të ndryshme të Evropës.

“Ajo që mund të shohim në shoqëritë multietnike në mbarë Evropën është e ngjashme me atë që është paraparë në Kosovë, implementimi i Asociacionit. Pra nuk do të ishte një shembull unik sepse modele të ngjashme ekzistojnë në pjesën tjetër të Evropës”, pati deklaruar Hill.

Në një rast tjetër, në intervistë për një media të Serbisë FoNet, ambasadori amerikan pohoi se “negociatat përfundimisht do të zgjidhen në frymën e koncesioneve dhe kompromiseve, me mirëkuptimin se të dyja palët janë të interesuara për progres”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore