Lajme

Hill flet prapë për Asociacionin: Ka gjithandej nëpër Evropë, ta bëjë edhe Kosova


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, mendon se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk është një model unik të cilën është i detyruar ta implementojë vetëm Kosova, pasi sipas tij shembull të një asociimi të tillë tashmë ekzistojnë në zonat multietnike në Evropë.

Sipas top-diplomatit amerikan, ideja e dialogut është përgatitja e Kosovës dhe Serbisë për një të ardhme evropiane.

“Ajo që mund të shohim në shoqëritë multietnike në mbarë Evropën është e ngjashme me atë që është paraparë në Kosovë, implementimi i Asociacionit. Pra nuk do të ishte një shembull unik sepse modele të ngjashme ekzistojnë në pjesën tjetër të Evropës”, ka thënë Hill kur është pyetur se pse SHBA-të nuk po shtynë përpara formimin e Asociacionit.

Ndryshe ambasadori veteran dhe njohësi i mirë i rrethanave politike në Ballkan, ditë më parë pati deklaruar se në takimin e caktuar për 18 gusht ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç-it në rend dite duhet të jetë edhe tema e Asociacionit.

“Mendoj se Asociacioni është një rrugë e mirë, për të është folur prej vitesh. Është koha ta vendosim në tavolinë dhe të bisedojmë seriozisht për të”, deklaroi ambasadori veteran në emisionin Oko në Radio Televizionin e Serbisë.

Temën e Asociacionit muajt e fundit përpos ambasadorit Hill, e ka riaktualizuar edhe një zyrtarë tjetër i lartë amerikan.

Sipas të dërguarit të Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.

Sipas top-diplomatit amerikan ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojnë.

“Ne duam të gjejmë disa prej këtyre shembujve, dhe ndoshta edhe t’i përdorim si udhëzues për të zbatuar Asociacionin. Prandaj, kam shpresë se mund t’i diskutojmë këto në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore