Kosova

Hill: Dialogu do të kalojë nëpër disa pika kritike, përfshirë Asociacionin


Christopher Hill

Për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë në fund do të ketë një lloj përparimi, në atë mënyrë që secila nga palët të fitojë diçka.

Sipas diplomatit veteran amerikan, për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, “natyrisht që do të ketë një lloj marrëveshje” dhe për një gjë të tillë janë të informuar të dyja palët.

Hill, duke marrë për bazë verdiktin e Gjykatë Kushtetuese të Kosovës për çështjen e Asociacionit, thekson se në Evropë ka shumë modele të ngjashme me Asociacionin, të cilat mund të përdoren si opsione.

“Është e përshtatshme që evropianët të përfshihen në këtë, sepse ata i njohin shumë mirë këto modele”, ka thënë Hill për agjencinë e lajmeve “Beta” duke nënvizuar faktin se SHBA-të e mbështesin plotësisht përpjekjet e Bashkimit Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun.

Sipas tij, korniza e re e dialogut e propozuar nga këshilltarët për politik të jashtme të kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanule Macron, në vete ngërthen shumë elemente të vjetra dhe gjithë në këtë mes pyetja kryesore është se cila do të jetë e ardhmja e serbëve në Kosovë.

Për Hill njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia do të ishte mirë për të gjithë, por dialogu sipas tij është i rëndësishëm në këtë moment.

“Dialogu duhet të kalojë nëpër disa pika kritike, duke përfshirë çështjen e Asociacionit. Qëllimi i BE-së është të arrihet normalizimi i plotë i marrëdhënieve, në mënyrë që jeta e njerëzve të vazhdojë normalisht dhe që ekonomia dhe faktorë të tjerë të mund të përparojnë. Është Inkurajuese që edhe Serbia po mendon për këtë, sidomos sepse në Kuvend është mbajtur një seancë për Kosovën. Është një temë e vështirë, sidomos në Serbi. Askush nuk mund të thotë se kjo është e lehtë, sidomos për njerëzit këtu”, ka shtuar ai.

Gabriel Escobar

Temën e Asociacionit muajt e fundit përpos ambasadorit Hill, e ka riaktualizuar edhe një zyrtarë tjetër i lartë amerikan.

Sipas të dërguarit të Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.

Sipas top-diplomatit amerikan ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojnë.

“Ne duam të gjejmë disa prej këtyre shembujve, dhe ndoshta edhe t’i përdorim si udhëzues për të zbatuar Asociacionin. Prandaj, kam shpresë se mund t’i diskutojmë këto në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore