Kosova

Haziri: Dorëheqja e Kurtit, mënyra e duhur për zgjedhje


Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten, tha se dorëheqja e kryeministrit kosovar, Albin Kurti, është mënyra më e mirë për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke shtuar se kreu i ekzekutivit kosovar për tre vjet qeverisje nuk arriti të ndërtojë konsensus politik në asnjë aspekt.

“LDK beson që akti i dorëheqjes se kryeministrit Kurti është mënyra më e duhur për t’i hapur udhë zgjedhjeve parlamentare 2024. Kurtha politike që me shpërberjen e Kuvendit të ndërtojë konsensusin për zgjedhje është vetëm arsyetim që Kosovën ta mbajë të ndarë politikisht, në pozicione bardhë e zi”, konsideroi Haziri në një koment të fundit në llogarinë e tij sociale.

“Ky kryeministër për asgjë këto tre vite nuk ka ndërtuar konsensus. Përkundrazi; s’ka dialog politik me opozitën, as dialog social me sindikata e as me shoqërinë civile!”, shtoi ndër të tjera nënkryetari i LDK-së, duke qenë se në mesin e spektrit politik në vend nuk ekziston akoma konsensus për mënyrën se si do të lëvizet drejt procesit të ri elektoral në Kosovë.

Ndryshe, partitë politike kanë filluar të mobilizohen për shkak të mundësisë së zgjedhjeve të jashtëzakonshme pak muaj para përfundimit të mandatit të Qeverisë së Kosovës nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ndërkohë që për shkak të zhvillimeve aktuale, mundësinë e zgjedhjeve përgjatë këtij viti nuk e kanë përjashtuar as akterë të partisë në pushtet.

Kryeministri Kurti shprehu gjithashtu gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare nëse dëshirojnë partitë opozitare në vend. E nëse opozita do zgjedhje, shtoi ndër të tjera ai, atëherë mund të votojë për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës – duhen dy të tretat (2/3) e votave për shpërndarjen e legjislaturës në mënyrë që t’i hapet rruga zgjedhjeve.

LDK-ja u shpreh në favor të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por me kusht që kryeministri Kurti të jap dorëheqje. Ky subjekt politik deklaron se “janë gati” për zgjedhje, ndërsa zyrtarë partiakë theksuan se në rast të zgjedhjeve të reja në vend, partia më e vjetër në Kosovë garon për vendin e parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore