Lajme

Haxhiu: Vettingu dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë kalojnë testin e Komisionit të Venecias


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media, një ditë pasi mori pjesë në seancën e Komisionit të Venecias, ku ishin votuar dy opinione ligjore për Kosovën, ka treguar se kjo e fundit ka dhënë dritën e gjelbër, propozimit të Qeverisë së Kosovës për vettingun në sistemin e drejtësisë.

“Që të dyja këto nisma janë mbështetur nga anëtarët e Komisionit të Venecias dhe tashmë kemi marrë dritën e gjelbër për të filluar me procesin e Vettingut, por po ashtu edhe për të formalizuar punën e byrosë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”, ka thënë Haxhiu.

Sipas Haxhiut Komisioni i Venecias ka rekomanduar fillimisht verifikimin e krerëve të institucioneve të drejtësisë, përmes një mekanizmi të jashtëm, e për të vazhduar më pas me vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Komisioni i Venecias, sipas saj, ka gjetur probleme të shumta në sistemin e drejtësisë, duke nisur nga mungesa e besimit, korrupsioni, stërzgjatja e gjykimeve, nepotizmi dhe deri te përzgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Problemet e shumta në sistemin e drejtësisë siç janë mungesa e besimit, korrupsioni, stërzgjatja e gjykimeve mungesa e efikasitetit disiplinor, nepotizmit dhe së fundmi edhe problemet e përzgjedhjes së kryeprokurorit, janë konstatuar gjithashtu edhe nga Komisioni i Venecias e cila justifikon Vettingun. Sipas tyre një reformim e tërësishme e sistemit të drejtësisë në Kosovë është përgjigja për problemet e theksuara”, ka shtuar ajo.

Haxhiu po ashtu ka lajmëruar se Komisioni i Venecias ka dhënë dritën e gjelbër edhe për formalizimin e punës për Byron Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë.

“Komisioni ka gjetur se korrupsioni është një problem serioz e sistematik, prandaj sipas Komisionit të Venecias konfiskimi civil mund të jetë i dobishëm, pra Komisioni i Venecias e njeh mekanizmin për konfiskimin e pasurisë me bazë civile dhe jep sugjerimin se si një mekanizëm e tillë duhet fuqizuar i cili do të ishte kompetent për verifikimin fillestar dhe më pas konfiskimin përfundimtar do ta bëjë gjykata”, ka shtuar ajo.

Albin Kurti

Lajmin se tashmë është hapur rruga për Vettingun dhe krijimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë, dha edhe kryeministri, Albin Kurti, i cili ishte i pranishëm në konferencë për media së bashku me Haxhiun.

Sipas tij dy këto reforma në sistemin gjyqësor sipas tij janë vlerësuar lart nga Komisioni i Venecias.

“Komisioni i Venecias na bind se reformat e propozuara janë adekuate dhe në pajtim me politikat e shteteve demokratike. Për byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Komisioni i Venecias jo vetëm që na ka treguar afinitet të plotë, por ka kërkuar edhe zgjerim të kompetencave të mekanizmit për verifikimin e pasurisë”, ka thënë Kurti.

Tutje, ai u shpreh se gjithçka që kërkohet nga qeveria, do t’i dërgohet Kuvendit në një afat rekord.

“Pasi që reforma më nuk mund të pres, e qytetari më nuk mund të durojë. Besimi i qytetarëve do të përkthehet në punë, kurse puna në një rezultat të pritur për më shumë se një dekadë”, u shpreh Kurti.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore