Lajme

Haxhiu: Nisi zbatimi i urdhrit ndalues për pasuritë e paluajtshme të Radojiçiç-it në Veri


Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se dikasteri të cilën ajo e drejton, përmes zyrtarëve të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, kanë nisur zbatimin e Urdhrit Ndalues përfundimtar me masë të përkohshme, lidhur me pasuritë e paluajtshme të terroristëve të cilët janë të përfshirë në rastin e sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar.

Agjencia, sipas saj, ka filluar identifikimin e pasurive të përmendura në Urdhrin Ndalues, duke përfshirë edhe vilën e kryekriminelit, Milan Radojiçiç te Liqeni i Ujmanit në Zubin Potok dhe pasuritë e tjera.

“Ky identifikim i pasurisë po bëhet në përputhje me Ligjin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, si dhe me Urdhrin e Gjykatës”, ka njoftuar Haxhiu.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore