Kosova

Haxhiu diskuton me raportuesit e Komisionit të Venecias për procesin e vettingut


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në takim me anëtarët e grupit punues për procesin e vettingut.

Komisioni i Venecias, pritet që në muajin mars të jap opinionin për procesin e vettingut në Kosovë, ka bërë të ditur Ministria e Drejtësisë, përmes një njoftimi.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me anëtarët e grupit punues, zhvilluan të mërkurën një takim me raportuesit e Komisionit të Venecias, Pere Vilanova, Cesare Pinelli dhe Grainne McMorroë, ku diskutuan për vettingun në sistemin e drejtësisë.

“Komisioni i Venecias në muajin mars pritet të jap Opinionin për një nga proceset më të rëndësishme për Republikën e Kosovës”.

“Ministrja Haxhiu, pas diskutimeve, falënderoi raportuesit për Opinionin në projektligjin për KPK si dhe për angazhimin e tyre profesional dhe për bashkëpunimin e Komisionit të Venecias me Republikën e Kosovës dhe i siguroi që do të adresohen rekomandimet e adresuar përmes opinioneve të tyre”, është thënë në njoftimin e ministrisë së Drejtësisë.

Po ashtu, ministrja Haxhiu informoi raportuesit e Komisionit të Venecias për rëndësinë që ka procesi i vettingut për qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe me problemet që aktualisht ballafaqohet sistemi i drejtësisë.

Ministrja së bashku me anëtarët e grupit punues, iu përgjigjen pyetjeve që u adresuan nga raportuesit e që lidheshin me opsionet e ndjekura në koncept dokument por edhe me draftin e amendamenteve kushtetuese.

Ilustrim.
Çka parasheh koncept-dokumenti për Vetting?

Ky proces synon që brenda pesë viteve të zhvillohet në tri faza.

Faza e parë do të përfshijë të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, pesë anëtarë të Gjykatës Supreme dhe kryeprokurorin e shtetit.

Në fazën e dytë të procesit do t’i nënshtrohet Gjykata Supreme në tërësi dhe prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Po ashtu në fazën e dytë procesit do t’i nënshtrohen edhe zyrtarët në pozita të larta drejtuese brenda sistemit si administratorët e gjykatave dhe prokurorive, drejtorët e sekretariateve si dhe drejtori i Njësisë për Inspektim Gjyqësor në KGJK.

Gjatë kësaj faze do të zhvillohet procesi i rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj si parapërgatitje për fazën e tretë.

Ndërsa në fazën e tretë të Vettingut do t’i nënshtrohen gjyqtarët mbikëqyrës të degëve pastaj gjyqtarët dhe prokurorët e gjykatave dhe prokurorive themelore.

Koncept dokumenti për Vettingun ka paraparë që pozitat e lira pas shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë kaluar Vettingun do të hapet konkurs për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj.

Gjyqtari ose prokurori ka të drejtë që ndaj vendimit për shkarkim të paraqesë ankesë brenda 15 dite në Gjykatën Supreme, e cila lidhur me këtë ankesë duhet të vendosë brenda 30 ditësh.

Koncept dokumenti i Vettingut parasheh se nga momenti i propozimit për shkarkim e deri te shkarkimi përfundimtar i gjyqtarit ose prokurorit, koha e mbylljes se procedurës duhet të përfundojë brenda 75 ditësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore