Shqipëria

Hasani: Jo më rezerva e vonesa për integrimin e Ballkanit Perëndimor


Kuvendi organizoi sot takimin e Komisionit të Dimensionit Parlamentar të Nismës për Evropën Qendrore, me temë: “Roli i parlamenteve në mbikëqyrjen e qeverive dhe procesit të integrimit europian”.

Kjo veprimtari zhvillohet në kuadër të marrjes nga Shqipëria të Presidencës së Asamblesë Parlamentare të Nismës për Evropën Qendrore (CEI).

Me propozim të ministrit Hasani, takimi nisi me një minutë heshtje në nder të jetës dhe kontributit të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili u nda sot nga jeta.

Kryediplomati Hasani në fjalën e mbajtur vlerësoi punën e deritanishme të CEI në mbështetje të Ballkanit Perëndimor, teksa theksoi nevojën urgjente për përshpejtimin e procesit integrues të rajonit.

“Të shtyrë edhe nga rreziku real i influencës së drejtpërdrejtë ose hibride të faktorëve të tretë në rajon, gjykojmë se është koha që vendet anëtare të Bashkimit Europian t’i kushtojnë vëmendjen e duhur dhe të angazhohen pa vonesë e pa rezerva kundrejt përshpejtimit të integrimit të Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm. I shprehim mirënjohjen tonë Hungarisë, e cila, sot më 1 korrik, merr kryesinë e radhës së Bashkimit Europian, duke përcaktuar si një prej prioriteteve të presidencës së saj zgjerimin e vonuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha ndër të tjera ministri.

Kryediplomati shqiptar u shpreh se, Shqipëria e konsideron CEI-n një platformë pro aktive të bashkëpunimit rajonal, teksa nënvizoi se, vendi ynë ka qenë dhe vazhdon të jetë një prej promotoreve të paepura lidhur me çdo propozim e projekt të kësaj nisme.

Shqipëria është anëtare e Nismës për Evropën Qendore prej vitit 1996 dhe ka presidencën e saj prej janarit deri në dhjetor 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore