Lajme

Hasani: Gjykata Kushtetuese mund të bëjë korrigjime, por s’do ta anulojë draft-statutin


Enver Hasani

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, në një intervistë për platformën e lajmeve “Kosovo-Online” në gjuhën serbe, tha se Gjykata Kushtetuese mund të bëjë korrigjime në draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe kur ta marrë për shqyrtim kushtetues, por nuk beson se do ta anulojë përmbajtjen e draft-statutit në tërësi.

“Jam i sigurt se Gjykata Kushtetuese do të bëjë disa korrigjime, por dyshoj seriozisht se do të anulojë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ne kemi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 që konfirmon që duhet të themelohet”, theksoi profesori i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës.

Duke komentuar mbi sugjerimet e diskutuara që themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mund të jetë kusht për Kosovën drejt avancimit të ardhshëm në Këshillin e Evropës, profesori kosovar vuri në pah se në raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, kjo përshkruhet lëvizje e dëshirueshme, por në parim nuk është kusht për anëtarësim.

“Kjo mund të ndodhë nëse pala kosovare tregon vullnet të mirë. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk është pjesë e raportit. Zonja Bakoyannis ka thënë qartë se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në parim nuk është kusht – kushte të tilla nuk janë vendosur për vendet tjera, kështu që nuk do të jenë as për Kosovën”, theksoi ndër të tjera Hasani.

QUINT – Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – dëshirojnë të shohin lëvizje reale drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, posaçërisht dërgimin e draft-statutit për këtë mekanizëm për serbët në Gjykatën Kushtetuese përpara se vendet të bien dakord për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Por, kjo është diçka që do të ndodhë pas votimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës sepse Kosova në mënyrë të njëanshme ka marrë përsipër këtë obligim të nënshkruar nga krerët e shtetit – Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca. Ligjërisht, ky është obligim i Kosovës që do të zbatohet pas anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, shtoi ai.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, por moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit u kthye në pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

Kjo çështje mori epilog kur Qeveria e Kosovës vendosi në mars t’ia dorëzojë pronësinë e 24 hektarëve tokë Kishës Ortodokse Serbe (KOS). Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi në favor që manastirit t’i jepej toka në vitin 2016, por qeveritë e njëpasnjëshme kosovare refuzuan ta zbatonin vendimin e gjykatës. Por konsiderohet se Kosova ka ende çështje për të adresuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore