Lajme

“Harresa e Qeverisë ndaj Ligjit të pagave do t’i kthejë protestat dhe grevat në shkolla”


Greva në shkolla.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përmes një komunikate për media është shprehur se harresa e Qeverisë së Kosovës ndaj Ligjit të pagave do t’i kthejë protestat dhe grevat.

“Ka kaluar më shumë se një vit nga vendimi i Kushtetueses dhe bazuar në realitetin shihet se Qeveria dhe gjithë institucionet gjegjëse, me apo pa qëllim, e kanë harruar fare Ligjin e pagave dhe ky veprim i tyre dhe mungesa e gatishmërisë për dialog me sindikatat krijon pakënaqësi, që vazhdon të shtohen, dhe kjo do të bëj që të kthehen protestat dhe grevat”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.

Ligji për pagat ishte shoqëruar me shumë probleme bëjnë të ditur nga SBASHK-u.

“Përpilimi dhe përgatitja e Ligjit të pagave ishte shoqëruar me debate të nxehta mes institucioneve dhe disa prej sindikatave dhe nuk munguan as protestat e grevat. Ligji u formësua pas shumë takimeve e angazhimeve dhe kaloi edhe nëpër Komisione parlamentare dhe në vet Parlamentin e Kosovës”.

Kryetari i sindikatës SBASHK, Rrahman Jashari.

Duke shtuar se, “Pjesa më e madhe e të punësuarve në shërbimet publike filluan të frymojnë më lirshëm dhe pritnin të shohin implementimin e këtij ligji dhe efektet e tij”.

Ligji i pagave ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

“Kushtetuesja nuk kishte thënë se ky ligj nuk duhej bërë kurrë dhe prandaj pjesa më e madhe e të punësuarve në sektorin publik, pra në arsim, shëndetësi, polici, zjarrfikësit, administrata dhe të tjerë shprehur zhgënjimin ndaj kësaj që ndodhi, por i mbante shpresa se Qeveria do të formojë komisionin gjegjës në bashkëpunim me sindikatat dhe do të nisin përmirësimet e kërkuara nga Kushtetuesja”.

Avokati i Popullit, kishte dërguar ligjin për paga në Kushtetuese për shkak të ankesave të një pjese të sindikatave. Mirëpo, Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë në tërësi ligjin për paga, duke e quajtur antikushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore