Kosova

Haradinaj pret që SHBA-je dhe BE-ja të propozojnë një draft-statut për Asociacionin


Ramush Haradinaj

Për kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe u prezantuar nga Ekipi Menaxhues në takimin e 2 majit në mes të Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç’it në Bruksel, është i papranueshëm.

Ky mekanizëm, i cili sipas ish-kryeministrit të Kosovës është një e keqe e trashëguar, duhet të jetë domosdoshmërisht në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës.

Prandaj Haradinaj është shprehur i bindur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë një draft-statut për Asociacionin, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Është ditur se si do të jetë rezultati i këtij komisioni, është ditur se çka do të propozon. Në fakt shkarkimi nuk është i vlefshëm pasi ata kanë dhënë produktin, kjo në fakt nuk është shkarkim pasi ata e kanë kryer pjesën e vet të punës. Amerikanët dhe BE-ja janë në dijeni se statuti i Asociacionit nuk mund të jetë jo kushtetues dhe jo ligjor. Pra do të ishte e mirë ndërhyrja e tyre në këtë kohë dhe jo lufta mes palëve”, ka thënë Haradinaj.

Përveç draft-statutit të Asociacionit, kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë më 2 maj miratuan edhe deklaratën për Personat e Pagjetur.

Teksti i publikuar i deklaratës nuk flet askund për “Enforced Disappearance (zhdukje me dhunë)” që është termi që njihet nga konventat ndërkombëtare dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, por flet për “Missing Persons (Personat e Pagjetur)” dhe në një vend thuhet “forcibly disappeared (të zhdukur me forcë)” që përbën një terminologji jashtë konventave ndërkombëtare.

Megjithatë sipas Haradinajt me deklaratën për Personat e Pagjetur, Serbia e pranon faktin se ka ndodhur zhdukja me forcë apo me dhunë në Kosovë.

“Besoj se është në rregull deklarata e këtillë. Është hera e parë që serbët e pranojnë faktin se ka ndodhur zhdukja me forcë ose me dhunë. Unë nuk e shoh ndonjë ndryshim në përmbajtje. Në aspektin e të drejtës ndërkombëtare besoj se kjo ua mundëson të gjithë palëve me kërku drejtësinë në të ardhmen” ka shtuar Haradinaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore