Kosova

Haradinaj në Gjermani: AAK-ja, forca e parë në diasporë – bashkë drejt fitoreve për Kosovën


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielën, derisa ka njoftuar për pjesëmarrjen në takimin përmbyllës të strukturave të AAK-së në Gjermani, ka theksuar se subjekti që drejton është “forca e parë” në diasporë, kurse vizioni është i njëjtë: anëtarësimi i Kosovës në aleancën ushtarake të NATO-s.

“Mbështetja për Aleancën si forcë e parë në diasporë, reflektoi edhe në takimin përmbyllës me bashkatdhetarë dhe struktura të AAK-së në Gjermani. Besimi i bashkatdhetarëve në Aleancën, do të ju kthehet me punë dhe zhvillim, me udhëheqje të Kosovës drejt progresit dhe me realizimin e synimit tonë madhor, anëtarësimit në NATO”, ka potencuar kreu i AAK-së.

“Falënderova strukturat e Aleancës në Gjermani për angazhimin e tyre dhe i sigurova se bashkë do të realizojmë fitoret për Kosovën”, ka shtuar ndër të tjera kreu i partisë së vogël opozitare, i cili ka qenë dy herë kryeministër.

Ndryshe, partitë politike kanë filluar të mobilizohen për shkak se mandati i ekzekutivit aktual kosovar nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) përfundon në fillim të vitit 2025, përkatësisht në janar/shkurt – ndërkohë që për shkak të zhvillimeve aktuale politike, posaçërisht në dialogun Kosovë-Serbi, mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk mund përjashtohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore